103 vite pa Isa Boletinin: “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”

Sot mbushen 103 vite nga vrasja pabesisht e një prej luftëtarëve më të mëdhenj të kombit shqiptar. Isa Boletini u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin, si dhe tre luftëtarë të tjerë, më 23 janar 1916.

Isa është një prej patriotëve më të mëdhenj që ka jetuar në trojet shqiptare. Ai ka udhëhequr luftën për liri të shqiptarëve prej vitesh të tëra. Ai udhëhoqi forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesi Osman më 1912 dhe ishte një prej njerëzve më me ndikim përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Isa Boletini lindi në fshatin Boletin të Mitrovicës, në një familje me tradita patriotike. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë e qarqeve shoviniste fqinje.

Më 1901-1902 u vu në krye të qëndresës popullore në Kosovë kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë në Shqipëri. Udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtime-Carralevë më 1910, mbështeti kryengritjen antiosmane të vitit 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Prishtinë më 1912.

Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve serbë. Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë, Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.

Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.