fbpx

1600 efektivë në terren, Policia e Shtetit jep njoftimin, ja ç’do ndodhë

Policia e Shtetit deklaron se 1600 punonjës policie janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike dhe ato bregdetare përgjatë sezonit turistik veror 2020. Po ashtu, në dispozicion të këtyre forcave do të jenë 180 mjete.

“Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike dhe ato bregdetare përgjatë sezonit turistik veror 2020, Drejtoritë Vendore të Policisë, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, kanë vënë në dispozicion forcat dhe mjetet policore që do angazhohen me shërbim në zonat turistike/plazhe.

Janë rreth 1,600 punonjës policie, nga Sektori i Rendit Publik, Sektori për Krimet, Policia Rrugore, Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Kufirit e Migracionit. Në dispozicion të këtyre forcave do të jenë 180 mjete (autovetura, furgonë, motoçikleta, biçikleta dhe mjete lundruese)”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëpërmjet një telegrami, u ka kërkuar të gjithë strukturave policore angazhim maksimal për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, rritjen e parametrave të sigurisë në zonat turistike, në plazhe, parandalimin e aksidenteve rrugore, ndërhyrjen në kohë  të shërbimeve të Policisë për të parandaluar ngjarjen të mundshme kriminale apo për të normalizuar trafikun në raste fluksi.

Gjithashtu, po sipas njoftimit, shërbimet e policisë duhet të “mbajnë maskat, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe të qytetarëve, pasi duke marrë parasysh shifrat e të prekurve nga virusi, duhet vlerësuar edhe kjo masë shumë e rëndësishme”.