17 të arrestuar dhe qindra të plagosur nga protestat në Barcelonë

Barcelona përjetoi ditën e saj më të dhunshme të premten që nga fillimi i protestave kundër vendimit të Gjykatës së Lartë të vendit për të dënuar me burg nëntë liderë katalanas separatistë nga nëntë deri në 13 vjet.

Trazirat filluan në Via Layetana dhe u vazhduan në Plaza de Cataluna në qendër të qytetit.

Ngjarjet e dhunshme në qytet, në ditën e pestë të protestave kundër dënimit, lanë të paktën 17 persona të arrestuar dhe qindra të plagosur, siç raportohet nga shërbimet shëndetësore të Barcelonës në informacionin e publikuar nga gazeta “El Pais de Espana”.

Pamjet e shtypit lokal në fundin e ditës treguan bulevardin Via Layetana pranë Sheshit Urquinaona plot me rrënoja, si dhe gardhe të djegura dhe të shkatërruara.

Policia katalanase raportoi se disa zjarre janë shkaktuar nga protestuesit dhe u kanë kërkuar qytetarëve lokalë “të mos shkojnë në Sheshin Urquinaona ose rrugët e afërta të tij”.

Mediat lokale gjithashtu treguan se policia hodhi gaz lotsjellës kundër protestuesve në vazhdën e dhunës që shpërtheu natën pas një dite në të cilën afro 500.000 njerëz lëvizën lirshëm nëpër rrugët kryesore të Barcelonës.

Protestat u thirrën nën moton “Marshimi për liri”. Protestuesit u mobilizuan me flamuj të Katalonjës dhe postera me fraza si “liri” dhe “ndaloni shtypjen”.

Ndërkaq, protesta masive u realizua pas protestave pesëditore, ku pati përleshje të vazhdueshme midis forcave të policisë dhe protestuesve.

Shërbimi i Urgjencës Mjekësore (Sem) i Katalonjës ka raportuar se trazirat në Katalonja kanë lënë gati 400 të plagosur që pas vendimit të Gjykatës së Lartë.