fbpx

170 vite nga lindja e Sami Frashërit, mesazhi i fortë i Ilir Metës

Presidenti Ilir Meta kujtuar 170-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe rilindasit të madh shqiptar Sami Frashëri. Përmes një postimi në “Facebook”, ai shpreh mirënjohjen ndaj Frashërit për trashëgiminë e pasur kombëtare, morale dhe politiko-shoqërore, që nuk duhet të mbetet vetëm në librat e historisë, por të mësohet, të ruhet dhe të kultivohet nga brezat e rinj.

Postimi i plotë:

Sot, në 170-vjetorin e lindjes, nderojmë me respekt e mirënjohje të thellë figurën e ndritur dhe veprën e shquar të atdhetarit, iluministit dhe ideologut të madh të Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, i cili në momentet më të errëta të kombit i dha më shumë dritë flakës së atdhedashurisë dhe frymëzoi popullin në luftën për pavarësi dhe krijimin e shtetit të lirë shqiptar.

Autor i manifestit politik dhe ideologjik, “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri me largpamësi e afirmoi si rrallëkush dëshirën dhe përpjekjet e sotme të shqiptarëve për t’u integruar në Europë, duke thënë se kombi shqiptar ka të drejtë të jetojë në liri dhe të ketë vendin që i takon midis popujve dhe kombeve të qytetëruara europiane.

Sami Frashëri me të drejtë kujtohet edhe si konstitucionalisti i parë, duke ideuar projektin e një Kushtetute moderne, me pushtete të ndara në funksion të shtetit të së drejtës. Mirënjohje rilindasve të vërtetë për trashëgiminë e pasur kombëtare, morale dhe politiko-shoqërore, që nuk duhet të mbetet vetëm në librat e historisë, por të mësohet, të ruhet dhe të kultivohet nga brezat e rinj.