fbpx

“20 mln euro për kilometër”, Vasili plas akuzat për Milot-Fier: Janë vetëm 53 km rrugë e re

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar në lidhje me koncesionin e rrugës Milot-Fier, ku ka lëshuar akuza ndaj Ramës me anë të një dekklarate për media.

Vasili tha se të gjithë shqiptarët janë shokuar dje pasi kanë dëgjuar për koncesionin miliarder të radhës së Edi Ramës. Sipas tij, janë vetëm 53 km rrugë e re, dhe referuar shifrës 1.2 miliardë euro, llogariti 20 mln euro për kilometër.

“Të gjithë qytetarët me shumë të drejtë dhe me preokupacion madhor prisnin lajme për një paketë të tretë ndihme financiare për dëme të pallogaritshme që ka shkaktuar e që vazhdon të shkaktojë pandemia, e cila u administrua në mënyrën me mizerabël nga qeveria. Por kundrejt saj shqiptarët dëgjuan një aferë 1.2 miliardë euro për rrugën Milot-Fier.
Rruga është 115 km e gjatë. Nga kjo rrugë vetën 53 km, pra vetëm 53 km janë rrugë e re që do të thotë 1.2 miliardë euro koncesion, pa llogaritur kosto të tjera, të cilat do t’i sqarojmë më poshtë, pra 1.2 miliard euro për 53 km rrugë të re.
Kjo do të thotë mbi 20 milion euro për km. Kur shqiptarët prisnin ndihmë e mbështetje se po shkatërrohen ekonomikisht e mijëra njerëz humbasin vendet e punës e mijëra biznese mbyllen, sërish shfaqen rrugët ku centimetri është më i shtrenjtë sesa centimetri i floririt”, tha Vasili.

Ai tha se është fare e qartë që këto fakte janë tronditëse.

“Janë fakte tronditëse, të tmerrshme si fakte. Shqiptari më i fundit, në dritën e diellit, kur dëgjon që kilometri i rrugës do të jetë më miliona euro, i padëgjuar si në asnjë rrugë tjetër, kur dëgjon që do paguajë taksë rruge sa i bën karburanti i makinës, kur dëgjon që qindra milionë euro të tjera janë shpronësime dhe do mbeten në kurrizin e tij, e ka të qartë që shpërdorimi këtu ulërin. Sot gjëja e parë që kërkojnë shqiptarët, nga i pari tek i fundit, pa asnjë përkatësi politike, pasi janë të vjedhur të gjithë njëlloj, është që kërkojnë drejtësi. Dhe elementi i parë është Prokuroria shqiptare, SPAK-u, të cilët duhet të lëviznin që dje. Që dje duhet të ishte hapur dosja, duhet të kishte filluar hetimi, duhet të ishin thirrur të gjithë funksionarët e lartë, nga kryeministri e të tjerë, dhe ata që bënë publike aferën. Por ne u bëjmë sërish thirrje sot, të mos humbasin asnjë sekondë për ta zbardhur këtë aferë të tmerrshme.
Është një provë e madhe për SPAK-un shqiptar për të treguar integritet, pasi një ditë më vonë SPAK-ut do t’i mbetet vetëm një alternativë, duke mos vepruar sot. Do t’i mbetet bashkëfajtorësia me të korruptuarit dhe grabitqarët e qeverisë, për të cilën pastaj do të duhet të përgjigjen të dy së bashku”, deklaroi Vasili.