21 vjet nga eksodi i popullit të Kosovës, mbahet akademi solemne “Faleminderit Shqipëri”

Në përkujtim të 21-vjetorit mikpritjes së Shqipërisë gjatë eksodit të popullit të Kosovës në vitin 1999 është mbajtur akademi solemne “Faleminderit Shqipëri”/

Kjo akademi organizohet në shenjë falënderimi shqiptarëve dhe Shqipërisë, për mikpritjen e ofruar dhe dashurinë vëllazërore që kemi përjetuar në momentet më të vështira të historisë së re të Kosovës.

Në këtë akademi solemne kanë marrë pjesë edhe krerët më të lartë institucional presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, kreu i VV-së Albin Kurti, ish-Presidenti Fatmir Sejdiu etj.

Ipeshkvi Don Viktor Sopi, nga Caritas Kosova, shprehu falënderim për çdo familje dhe institucionet e Shqipërisë për përkrahjen gjatë eksodit  të popullit të Kosovës në vitin 1999.

“Caritas Kosova kishte kënaqësinë të bënë këtë falënderim në tempullin me emër Pjetër Bogdani që t’ju themi institucioneve të Shqipërisë familje t’ju themi falënderim kur ishte një eksod biblik”.“Kur dashuria ndahet ajo bëhet më e madhe, them faleminderit Shqipëri”, tha ai.

Imzot Dodë Gjergji, tha se edhe pse viti 1999 ishte i tmerrshëm, demonstrimi i dashurisë dhe mirëpritjes nga populli i Shqipërisë e ka bërë më të lehtë, këtë dhimbje.

“Ndihma ishte e menjëhershme e gjithanshme dhe e shumëllojshme. Mendoj se këta njerëz meritojmë një falënderim. Një falënderim i tillë nuk ka munguar”, theksoi ai.

Presidenti Hashim Thaçi, tha se Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt do të kenë një të ardhme të përbashkët pa kufi.

“Kjo akademi me karakter falënderimi për Shqipërinë na sprovon mendjen tonë të përballë fjalës më sublime, fjalës atdhe. Vendit ku kanë jetuar të parët tanë ku jetojmë sot dhe ku do jetojnë brezat e ri. Atdheu është i përjetshëm individi i përkohshëm duke qenë i përjetshëm atdheu është hyjnor. Sot këtu falënderohet Shqipëria e përjetshme, që sfidoi çdo ideologji, Shqipëria e tolerancës fetare, e flamurit tonë të përbashkët. Shqipëria me shpirt fryme dhe traditë evropiane, e himnit kombëtar”, tha presidenti Thaçi.