25 Prilli/ Balla dhe Veliaj, betejat e para elektorale

Veliaj-Balla-642x450-1.jpg

Taulant Balla:

Teksa i afrohemi 25 Prillit, mua më kujtohet beteja ime e parë elektorale. Kam qenë një prej djemve dhe vajzave që iu bashkuam Partisë Socialiste 27 vite më parë, në betejën e parë që ky subjekt politik fitoi, që prej vitit 1991.Prej atij momenti kam qenë, hap pas hapi, në të gjitha nivelet e përfaqësimit për të arritur e për t’u përzgjedhur, njësoj si djemtë e vajzat që janë sot këtu, pjesë e ekipit kombëtar të Partisë Socialiste. Prej vitit 2005 kam pasur nderin si pjesëtar i Partisë Socialiste, të jem përfaqësues i një zone të Shqipërisë, për të cilën gjithmonë ruaj mirënjohjen. Këshilla më e mirë që do të doja ti jepja djemve dhe vajzave, që sot do të bëhen pjesë e ekipit tonë është: ruajeni marrëdhënien e ngushtë me zgjedhësit tuaj. Asnjëherë mos e ndërprisni komunikimin me zgjedhësit dhe asnjëherë mos harroni se janë ata, të cilët ju kanë mbështetur dhe ju vëzhgojnë.Dallimi i kandidimit për herë të parë dhe herëve të tjera është se: herën e parë qytetarët të japin besimin, herën e dytë apo të tretë apo të katërt është detyra jote, që besimin t’u shpërblesh me punë.Bashkë me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kolegë të tjerë të Kryesisë së Partisë Socialiste iniciuam këtë proces, i cili është historik dhe lidhet në fakt edhe me ndryshimet Kushtetuese që ne bëmë vitin e kaluar, sikurse ishte hapja e listave.Hapja e listave të Partive, që qytetarët të zgjedhin njerëzit që duan, është sot një mekanizëm që do të përmirësojë cilësinë e ekipeve.Ne nuk u mjaftuam vetëm me gjithçka që kemi brenda familjes sonë politike. Ne hapëm një dritare për të cilën interesi ishte aq i lartë sa nuk imagjinohej nga unë personalisht. Nuk e mendoja se do të kishte aq djem e vajza, mbi të gjitha që një pjesë e konsiderueshme vinin nga jashtë Shqipërisë, të cilët aplikuan me besimin se secili prej tyre do të vlerësohej.Dua ti garantoj të gjithë se ne i kemi studiuar me shumë vëmendje të gjithë aplikimet tuaja, megjithëse ishte e pamundur që 1581 aplikantët të ishin pjesë e ekipit. Unë dua t’ju garantoj sot, se ne do të vazhdojmë të jemi me njëri-tjetrin në komunikim, sepse kontributi juaj do të vazhdojë edhe më tej. Ne ju konsiderojmë të gjithëve ju, si pjesë të rëndësishme të  fitores sonë më 25 prill.Në fazën e dytë erdhëm me një grup më të reduktuar, me të cilët na u desh të punonim edhe në një aspekt tjetër, aspektin e përgatitjes: sesi bëhet një fushatë elektorale, sesi mbahet një fjalim publik, sesi mund të komunikosh më mirë me zgjedhësit.Të gjitha këto na kanë bërë që të bëjmë një ekip që na bën krenar.Jemi munduar të ruajmë ndarjen gjeografike, ku të jenë të përfaqësuara të gjitha qarqet.Unë jam shumë krenar që sot ne kemi mundësi që të bëjmë një ndërthurje shumë të mirë mes eksperiencave shumë të vyera që ka Partia Socialiste dhe djemve e vajzave të rinj, që do të japin kontributin e tyre në familjen tonë.

Erion Veliaj:

Unë kam lindur në fund të vitit ’79 dhe kur nisën të ndryshonin gjërat kam qenë 10 vjeç. Më kujtohen mirë ato ngjarje të Tiranës kur ra busti i Enverit, dhe si fëmijë e kupton se diçka po lëvizte. Po atë vit, më ndodhi një fatkeqësi në familje: humba babain. Mbaj mend se në atë kohë, nëpër markata kishte vetëm qepujka, ishin e vetmja gjë në shitje.Në pamundësi për të jetuar, në kushtet kur shteti falimentoi, çdo gjë u shpërbë, ushtria ku punonte nëna ime nuk kishte më nevojë për 200 mijë ushtarakë, secili prej nesh duhet të bënte diçka për të mbijetuar. Shikoja politikën se si ca njerëz të mëdhenj, ca në të majtë, ca në të djathtë, kishin trashëguar diçka të dhuruar dhe jo diçka e fituar.Pas shumë ecejakesh në jetë pata një mundësinë të shkoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj pas vitit të parë, lashë shkollën për të shkuar në Kosovë, si një mundësi fantastike për të shërbyer në atë transformim që po ndodhte pas luftës. Më pas u riktheva të mbaroja shkollën, por një pyetje i bëja vetes: Të rri këtu në Amerikë, që funksionon relativisht mirë, apo të kthehem në Shqipëri, e cila mund të duket si një papaq i vogël, por kur je motori i një vendi të vogël mund të bësh gjëra që e çojnë vendin përpara, të japësh një kontribut.Të jem i sinqertë, e fillova duke protestuar ndaj Partisë Socialiste. Atëherë kisha shumë vërejtje, të tipit a është kjo e majta, a mund të jetë e majta më solidare, a mund të përgjigjet pak më shpejt kur ka nevoja, a e mban dot ritmin ku ka shkuar bota sot, dhe isha i frustruar se vija nga e majta, vija si një aktivist i majtë në Amerikë, por ndërkohë më frustronte fakti që e majta nuk po mbante dot ritmin.MJAFT-i që unë themelova në 2003, përkon me vitin kur kanë lindur ata që do të votojnë për herë të parë në 2021. Atëherë patëm një komunikim, madje tentova edhe të filloja një listë timen, dhe thashë sa të protestoj, ndoshta ia vlen të kandidojmë në Parlament, se ndoshta e bëjmë më mirë, se sa të rrimë nëpër dyer duke protestuar.Asokohe më erdhi një ftesë nga Edi, që më pyeti: Do vazhdojmë copa-copa, me njerëz që mendojnë për progresin, ku secili këtu me ambicien e tij fillon nismën e tij, apo ndoshta bashkimi bën fuqinë? Edi më hapi derën për t’u futur në PS. Partia jonë nuk është perfekte, por kur te partia jonë thua “dhëndri, kunati, djali, vajza”, njerëzit kthejnë kokën dhe thonë: Dhëndri i kujt? Kunati i kujt? Djali dhe vajza e kujt? Në një parti tjetër, po përmende kunati, djali, vajza, merret vesh për kë e ke, dihet si bëhet hajër për të ecur në atë parti.Në partinë tonë po the burri dhe gruaja, ne kthejmë kokën dhe pyesim: Burri dhe gruaja e kujt? Në një parti tjetër po the burri, gruaja – gruaja, burri, merret vesh për kë e ke, kuptohet si bëhet karrierë në atë parti.Jua thashë në 2 minuta historinë e jetës sime, për t’ju thënë se keni ardhur në një familje ku nuk pyet njeri i kujt je. Jemi si një familje, por e vetmja gjë që na bën familje është parimi “një për të gjithë, të gjithë për një”, jo gjaku, jo gruaja, jo burri.

Mirë se erdhët!

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303