fbpx

Evis Kushi merr “stafetën” e Ministrisë së Arsimit, i dorëzohet detyra nga Besa Shahini

Pak orë pas betimit para presidentit Ilir Meta, ministrja e re e Arsimit Evis Kushi ka marrë zyrtarisht detyrën.

Përmes një statusi në rrjetet sociale Shahini ka ndarë një foto krah ministres më të re në kabinetin qeveritar, ajo shprehet se ka dorëzuar detyrën para përfaqësuesve të “Parlamentit të Nxënësve”.

Ajo i uron Kushit suksese në detyrën e re, duke e cilësuar atë të vështirë por jashtëzakonisht përmbushëse dhe me impakt të lartë në shoqëri.

“Sot, para përfaqësuesve të “Parlamentit të Nxënësve”, dorëzova zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë tek Ministrja Evis Kushi.

“Parlamenti i Nxënësve” ka qenë këshilltari im më i mirë për politikat e arsimit parauniversitar, sidomos gjatë organizimit të mësimit në kushte shtëpie në periudhën e pandemisë, e cila vazhdon të jetë akoma mes nesh. Janë nxënësit dhe studentët ata për të cilët bëhen politikat arsimore, ndaj zëri i tyre është edhe spiranca që i duhet mendimit politik në fushën e arsimit.

Evisit, i uroj gjithë të mirat dhe suksese në detyrën e re, një detyrë e vështirë por jashtëzakonisht përmbushëse dhe me impakt të lartë në shoqëri”, shkruan ish-ministrja Shahini.