28-vjet Pavarësi, Meta uron Maqedoninë e Veriut: Marrëdhëniet tona do të forcohen më tej!

1567933620_meta.jpg

Presidenti i Republikës Ilir Meta me anë të një mesazhi të gjatë dërguar homologut të tij në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski i ka uruar këtij shteti 28-vjetorin e Pavarësisë.

Ndër të tjera në mesazhin e tij Meta ka shkruar se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve do të vijojnë që të forcohen edhe më shumë.

Presidenti Meta thekson se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve japin një forcë të madhe për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të të dy vendeve.

Mesazhi i plotë i Metës:

28-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më jep kënaqësinë e veçantë që të përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet e përshëndetjet më të ngrohta, të përzemërta e vëllazërore për Ju dhe të gjithë qytetarët Tuaj. Shpreh bindjen time se, falë edhe vullnetit, eksperiencës dhe vizionit Tuaj, marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë e të bashkëpunimit, që ekzistojnë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë, do të forcohen më tej në të ardhmen.

Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Përfitoj nga rasti t’Ju përgëzoj për vizionin dhe guximin në arritjen e Marrëveshjes historike të Prespës – një shembull për gjithë rajonin – që jo vetëm do të forcojë perspektivën euroatlantike të vendit Tuaj, por do ta bëjë rajonin tonë edhe më të sigurtë. Jam i bindur se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

Së bashku me urimet më të mira e të përzemërta për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të vendit Tuaj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.” 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303