29 Nëntori, President-Qeveri te Varrezat e Dëshmorëve

Sot festohet 29 Nëntori, 74-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë nga regjimi nazi-fashist. Liderët e shtetit shqiptar janë bërë bashkë, duke zgjedhur kështu që të mbajnë një orar të përbashkët për homazhet në “Varrezat e Dëshmorëve”.

Ashtu siç e do edhe tradita, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka qenë i pari që ka vënë kurorë me lule dhe është përulur me nderim para monumentit ‘Nënë Shqipëri’. Më pas ai është ndjekur dhe nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ndërkohë, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi do të kryejë homazhe në orën 10:30. Po ashtu është përcaktuar se veteranët do të zhvillojnë homazhe në orën 12:00.

Ndërkohë lideri opozitar, Lulzim Basha dje u nis drejt Italisë, ndërsa nuk dihet nëse do të kthehet sot në Tiranë.

Në nder të kësaj dite do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ndërsa epiqendra e festimeve padyshim ngelet Tirana. Kjo festë do të festohet ndryshe dhe nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, pasi Forcat e Shtabit të Përgjithshëm ka organizuar një event prezantues nga ora 10:00 deri në orën 13:00, në Pedonalen e Tiranës.

Kujtojmë se debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e kësaj feste, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë. Por, 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare.

Lër një koment