3 vite rob në Siri, gazetari japonez tregon torturat

Një gazetar japonez tregoi “ferrin” që ka përjetuar për 3 vite si rob i terroristëve në Siri.

Jumpei Yasuda, i cili u rrëmbye në vitin 2015 nga një degë e Al Kaedës në Siri, u lirua të martën dhe u dërgua në Turqi. Sot më në fund mbërriti në vendlindjen e tij, Japoni.

Yasuda i ka përshkruar 40 muajt e robërisë si një torturë të vërtetë fizike dhe mendore.

“Jam mbajtur në një qeli të vogël dhe jam torturuar. Pati një periudhë ku nuk më lejuan që të lahesha për 8 muaj rresht. Më dukej vetja sikur kisha ngelur pas njerëzimit. Jam i lumtur që jam i lirë, por edhe i shqetësuar sepse nuk e di se çfarë do të bëj tani”, tregon gazetari.

Yasuda thotë se lirimi erdhi papritur dhe askush nuk i dha shpjegime: “Thjesht më lanë në kufi me Turqinë dhe më dorëzuan te autoritetet turke”.

Zyrtarë japonezë thonë se në lirimin e gazetarit ndihmuan Katari dhe Turqia, por roli i saktë i tyre nuk bëhet i ditur.

Kjo është hera e dytë që gazetari japonez merret peng. Më parë ishte marrë peng në Irak, në vitin 2004.

Siria është një nga vendet më të rrezikshme për gazetarët që kur në këtë vend nisi konflikti në vitin 2011, me shumë prej tyre të vrarë apo të rrëmbyer.

Lër një koment