66 ushtarë nisen për Kabul, përshëndetja me familjen

Në 106-vjetorin e Forcave të Armatosura, një kontingjent me 66 ushtarakë shqiptarë u përcoll për në misionin e NATO-s në Afganistan, Resolute Support.

Kontingjenti i radhës përbëhet nga një kompani, e cila përfshin dy toga të batalionit Komando dhe batalionit të tretë të këmbësorisë së Poshnjes.

Në përcjelljen e trupave për në Afganistan morën pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, ambasadori i Turqisë në vendin tonë Murat Ahmet Yörük, komandantët e forcave dhe familjarët e efektivëve që u nisën në mision.

Ministrja Xhaçka uroi ushtarakët shqiptarë për 106-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura dhe kujtoi Ismail Qemalin burrin e madh të kombit shqiptar, i cili një nga dekretet e para dhe ndër më të rëndësishmit që firmosi, ishte krijimi i Ministrisë së Luftës më 4 dhjetor 1912.

Nisjen e trupave për në Afganistan, ministrja Xhaçka e konsideroi koincidencë shumë të bukur duke e quajtur “kontingjenti i 106-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura.”

Ministrja Xhaçka vlerësoi kontributin e trupave shqiptare në misionet jashtë vendit, si dhe njoftoi angazhime të tjera ndërkombëtare për Forcat tona të Armatosura

Në përfundim, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontingjentit, major Kreshnik Bunguri.

Kontingjenti shqiptar do të shërbejë në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit për një periudhë 6-mujore, nën komandën e Forcave të Armatosura të Turqisë.

Lër një koment