68-vite nga pushkatimi pa gjyq i 22 viktimave të “bombës” në ish-Legatën Sovjetike

Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” dëshmitarët dhe kontribuuesit e zbulimit, gjetjes dhe vënies së drejtësisë në vend për 22 intelektualët e pafajshëm, të pushkatuar pa gjyq 68 vite më parë, me akuzën e hedhjes së “bombës” në ish-Legatën Sovjetike.

Për humanizmin e treguar, në vlerësim të mbajtjes gjallë të shpresës e kurajës së pashtershme për të zbuluar e hedhur dritë mbi të vërtetën dhe si shembuj frymëzues fisnikërie u dekoruan: Kadri Hysa, Faslli Hysa dhe Gëzim Mullaj (pas vdekjes), si dhe zotërinjtë Aleksandër Dhima, Hysen Shehu dhe Osman Kaceli.

Në fjalën e Tij Presidenti Meta u shpreh “atë ngjarje të dhimbshme, që jemi mbledhur të përkujtojmë sot, viktimat e saj dhe familjet, të cilat u bënë dëshmitarë pa dëshirën e tyre dhe ruajtën me besnikëri jo vetëm të vërtetën dhe sekretin, por ndihmuan në hedhjen dritë mbi errësirën më tepër se 40-vjeçare, na ftojnë e na detyrojnë të gjithëve të mos harrojmë.”