7 të arrestuar për furgonin me 570 kg kanabis

drog-1.jpg

Të mërkurën policia sekuestroi 570 kg kanabis në afërsi të Qafë-Thanës.

E gjithë sasia e lëndës narkotike, sipas burimeve zyrtare, ishte e fshehur në shasinë e një furgoni mallrash me ngjyrë të bardhë. Ky mjet transporti dyshohej se do të kalonte fillimisht në shtetin fqinj të Maqedonisë nëpërmjet Qafë-Thanës, ndërsa destinacioni përfundimtar nuk dihet ende.

Dyshohet se një numër i madh personash janë përfshirë në trafikimin e drogës së kapur, ndërsa policia deri më tani ka arrestuar 7 persona dhe një tjetër e ka shpallur në kërkim. Në mesin e personave të arrestuar është edhe drejtuesi i mjetit me ngarkesën prej 570 kg kanabis sativa.

Mjeti me targë AA 356 NA që po transportonte më shumë se gjysmë tonelate drogë rezulton të jetë në pronësi të një biznesi nga Qarku i Fierit. Në operacionin antidrogë morën pjesë policia e Elbasanit si dhe forcat speciale të cilët ndaluan furgonin me drogë jo shumë larg pikës së kalimit kufitar me Maqedoninë, pasi e kishin mbajtur në vëzhgim të rreptë që nga vendi nga ku ishte nisur me ngarkesën e drogës.

Operacioni u finalizua pas hetimeve disa mujore nga antidroga se me këtë furgon trafikohej sasi e madhe droge me destinacion një nga vendet fqinje.

Hetimi sipas burimeve zyrtare është shtrirë në qarqet e Elbasanit dhe të Fierit dhe dyshohet së pjesë e këtij rrjeti është një organizatë kriminale me fuqi të madhe ekonomike.

scroll to top