77-vjetori i Konferencës së Pezës, Meta: Koha për të forcuar bashkëpunimin, lini interesat afatshkurta

Në 77-vjetorin e Konferencës së Pezës, presidenti Ilir Meta kreu homazhe në memorialin e Myslym Pezës së bashku me përfaqësuesit e mazhorancës, banorë të Pezës e bashkëpatriotë të që luftuan për lirinë e vendit.

Meta nuk la pas komentet për situatën politike në vend, duke e lidhur me shembullin që duhet marrë nga patriotët shqiptarë që dhanë jetën për lirinë e vendit. Meta ‘thumboi’ sërish edhe procesin zgjedhor të 30 qershorit, kur vuri theksin tek pluralizmi i Konferencës së Pezës ku morën pjesë pa bindje politike, fetare, e ideje.

“Vimë të përkulemi me nderim në këtë vend të shenjtë për të gjithë shqiptarët sepse Pezë për shqiptarët do të thotë bashkim, qëndrim, dhe besa-besë me parullën historike që lindi këtu dhe që nuk mund të mbetet vetëm histori por që është edhe një amanet që gjithë shqiptarët të bashkohen për interesin kombëtar, pa dallim feje, ideje. Peza u dogj, u masakrua si asnjë krahinë tjetër, por asnjëherë nuk u dorëzua. Përkulemi para veprës së patriotit të paharruar Myslym Peza. Në një kohë të errët të pushtimit ishte Konferenca e parë pluraliste në vendin tonë e cila dha mesazhe të fuqishme të patriotizmit dhe të ngritjes mbi interesat parciale për interesin kombëtar. Një ngjarje madhore që na fton të gjithëve të bashkëpunojmë sa më ngushtë, në respekt të ruajtjes së atyre vlerave e trashëgimie për ta investuar për edukimin patriotik të fëmijëve tanë. Ta kuptojnë të gjithë se sa ka arritur Shqipëria e ka përmes sakrificave sublime të paraardhëse tanë.

Peza nuk është vetëm histori, por është amaneti i gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për të realizuar vendimin madhor të konferencës së Pezës. Sot objektivi ynë kombëtar është integrimi i Shqipërisë është koha për të mos e vonuar më këtë proces për shkak të antagonizmit politik por është koha për të forcuar bashkëpunimin duke lënë interesat afatshkurtra të ngushta në mënyrë që e ardhmja evropiane e Shqipërisë të jetë sa më pranë”, tha Meta.