fbpx

8 Marsi/ Gramoz Ruçi bën urimin për gratë dhe vajzat: Pandemia nuk e ndalon dot simfoninë e nënave dhe motrave

gramoz-ruci-676x450.jpg

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka bërë një urim ditën e sotme për gratë dhe vajzat për 8 Marsin. Ai tha se pandemia nuk ndalon simfoninë e nënave, motrave dhe vajzave.

Mesazhi i urimit të tij:

Me rastin e 8 Marsit, shpreh mirënjohjen time për gratë dhe vajzat e Shqipërisë, të cilat festojnë sot në një kohë të vështirë dhe ndoshta të papërsëritshme. Pandemia na ka kufizuar, por nuk do të mund të na ndalojë së kënduari simfoninë e nënave, motrave dhe vajzave tona. Pandemia na vuri në një sprovë të vështirë dhe unike dhe në përballimin e kësaj sfide shoqëria rizbuloi gjeninë e grave dhe vajzave. Mjeket dhe infermieret e Shqipërisë në vijën e parë të zjarrit kundër pandemisë, për shpëtimin e jetëve njerëzore, na kanë frymëzuar të gjithëve.

Sot është dita të vlerësojmë arritjet për gratë dhe vajzat e Shqipërisë, por edhe të reflektojmë për mbështetje më të madhe për to. Gratë janë vërtet të forta, por ne duhet të ndryshojmë dhe në fakt po e ndryshojmë perceptimin e shoqërisë për forcën e tyre. Fuqia e shoqërisë është te bashkimi i mendimit dhe veprimit të grave e vajzave. Për një kohë të gjatë ju, të dashura nëna, motra dhe vajza, keni folur me heshtjen tuaj, tani është koha të flisni me zërin dhe veprimet tuaja. Siç thotë një shprehje e urtë, nëse dëshironi të flisni për diçka, thërrisni burrat; nëse dëshironi të bëni diçka, thërrisni gratë. Historia dhe e kaluara e shoqërisë ju ka vendosur në rendin e dytë, por e ardhmja ju thërret në rendin e parë. Forca juaj në shoqëri buron nga aftësia juaj për t’u ngritur mbi paragjykimet e historisë.
Kudo ku është një grua, atje është burimi dhe magjia e jetës.

Nuk ka kufij në ato që gratë dhe vajzat mund të arrijnë. Pengesat, ndonjëherë edhe dështimet, janë pjesë e forcës dhe madhështisë suaj. Ju mos u ndalni sepse as shoqëria shqiptare nuk do të rreshtë së krijuari hapësirat për vizionin, fuqinë, energjinë dhe dashurinë tuaj.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303