80 banesa të dëmtuara në Vorë, banori: Nuk më kanë dhënë një çadër

Më shumë se 80 banesa janë dëmtuar në fshatin Sharkë, në bashkinë e Vorës. Banorët tregojnë për ABC News se askush nga instancat shtetërore nuk kanë shkuar për të parë gjendjen në të cilën jetojnë.

Sharka ndodhet dy kilometra larg nga Bashkia e Vorës.

Tërmeti ka dëmtuar më shumë se 80 banesa. Më rëndë është ajo e 65-vjeçarit Petrit Dema. Ai na thotë se grupet e inspektimit ndoshta nuk e dinë se ekziston fshati i tij.

“Të paktën një çadër, mbi pesë herë kam shkuar në bashki, nuk më kanë dhënë një çadër”, thotë ai.

Na fton për të parë banesën e tij nga afër.

“Është çarë komplet”.

“Kjo është pasuria ime që kam shpëtuar natën e tmerrit Këto ka mundur të shpëtojë pas tërmetit. Jemi tmerruar, si nga gjendja shpirtërore ashtu edhe nga shëndeti”

Me sy të lirë mund të shikosh shumë banesa të dëmtuara në fshatin Sharkë.

Disa janë shtëpi të vjetra e disa ndërtime të reja.

Drita ka frikë të afrohet banesës së saj. Ka pësuar një shok psikologjik.

“Nuk hapet dera”.

Në qendër të fshatit qëndron një e moshuar. Banesa e nipit të saj ka dalë jashtë funksionit dhe askush nuk i ka thënë se ku duhet të qëndrojnë.

Nëse bashkia e Vorës nuk i ndihmon të paktën me çadra dimërore apo në banesa të përkohshme, atëherë banorët do të protestojnë para institucionit vendor në shenjë revolte.

.