97 kg kanabis në autobus, kapet transportuesi pas “vëzhgimit” nga policia

drogeee.jpg

97 kg kanabis u sekuestruan gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes në Kalpaq të Janinës, në një autobus të linjës Sarandë-Athinë. Droga ishte futur në bagazhet e autobusit, sapo ai ka dalë nga Dogana greke në Kakavijë, e pasi kaloi me sukses kontrollet në të dyja anët e doganës.

Policia kishte informacion për transportin e lëndës narkotike, madje e kishin lënë në ruajtje drogën, në vendin e quajtur “Ktizmata”, në pritje të personit që do ta transportonte atë.

Pasi e ka ngarkuar lëndën narkotike, drejtuesi i autobusit me targa të Sarandës, 34-vjeçari Fation Osmani u ndalua në postbllokun e Kalpaqit.

Policia tha se kishte nën vëzhgim prej shumë kohësh 34-vjeçarin, pasi ai dyshohet se ishte anëtar i një organizate të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Lënda narkotike, shuma prej 900 euro “cash” dhe dy telefona celularë u sekuestruan, ndërsa autobusi do t’i dorëzohet kompanisë së udhëtarëve brenda pak ditësh. Gjykata e Janinës vendosi që 34-vjeçari Fation Osmani të lihet në burg deri në përfundimin e hetimeve.

scroll to top