fbpx

Coronavirusi në trondit edhe futbollin, në Itali rrezikohen ndeshjet europiane

skynews-san-siro-serie-a-coronavirus_4929199.jpg

Coronavirusi fillon të prekë edhe futbollin elitar europian. Pasi ka izoluar Kinën dhe ka paralizuar pjesën më të madhe të vendeve të Lindjes së Largët, në Azi, ardhja e virusit në Europë duket se po fillon të ndikojë dhe në zhvillimin normal të lojës në Kontinentin e Vjetër, më konkretisht në Itali. Kalimi në gjendje karantine i disa qyteteve në zonën e Lombardisë dhe Venetos, këtë të diel preku dhe futbollin e Serisë A, ku plot katër takime u shtynë: Verona-Cagliari, Inter-Sampdoria, Torino – Parma dhe Atalanta -Sasuolo.

Me më tepër se 150 të infektuar e numri vazhdon të rritet. Tre persona kanë humbur jetën deri këtë të diel, Liga e Futbollit Italian po përpiqet të gjejë një zgjidhje, pasi ndeshjet nuk mund të shtyhen në pafundësi, aq më tepër që numri i të prekurve mund të rritet, sipas gjasave, në ditët në vijim.

Është hedhur hipoteza e ndeshjeve me dyer të mbyllura, por sipas presidentit të Komitetit Olimpik Italian, Malago, kjo mund të përbëjë dhe një problem, pasi klubet kanë shitur deri në këto momente biletat dhe do të jenë të parat që do të vuajnë barrën ekonomike, ndërsa është i pashmangshëm dhe grumbullimi i tifozëve ultras në afërsi të stadiumeve, që mund të shkaktojnë jo vetëm kaos, por gjithashtu dhe përhapje të virusit.

Gjithsesi, vendimi për luajtjen e sfidave me dyer të mbyllura i takon prefekturave. Situata e krijuar në Itali ka vendosur në alarm dhe UEFA-n, duke qenë se këtë javë në vendin fqinj janë parashikuar të luhen përballje të kompeticioneve europiane, me Napolin që do të presë Barcelonën. Shumë tifozë spanjollë kanë udhëtuar gjatë këtyre ditëve në qytetin jugor, që aktualisht nuk është i prekur nga virusi.
Inter-Ludogorets (Europa League) luhet në Milano, në një qytet të prekur.

Për ndeshjen e Napolit po shqyrtohet hipoteza e sfidës me dyet të mbyllura, ndërsa e njëjta alternativë ekziston dhe për Interin, por zikaltrit mund të jenë të detyruar të luajnë në një tjetër stadium. Gjithsesi, vendimin përfundimtar do ta marrë UEFA, por për momentin Coronavirusi është një çështje që po shqetëson të gjithë sektorët e jetës, përfshirë dhe futbollin.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303