A do të marrë pjesë opozita në tubimin e 2 marsit? Ja si përgjigjet Petrit Vasili

Nënkryetari i Lëvizjes Socialite për Integrim Petrit Vasili la të kuptohet se opozita do të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Presidenti Ilir Meta, i parashikuar të mbahet në datën 2 mars. Vasili foli në studion e RTV Ora, nga ku u u shpreh se pjesëmarrja në tubim nuk është çështje e opozitës, por e të gjithë qytetarëve. Sipas tij, “Republika” ka rënë, ndaj ai tha se është detyrë e qytetarëve të marrin pjesë për të kërkuar një sistem ku pushtetet të mos kapen vetëm nga kryeministri.

Petrit Vasili: Çështja për të cilën Presidenti thërret qytetarët ka të bëj me një “puç kushtetues”. Kështu që të gjithë qytetarët në shesh i bashkon nevoja për të pasur një shtet demokratik. Çdo qytetar që do republikën duhet të jetë në shesh. Nuk shtrohet problemi duhet të jetë opozita apo maxhoranca. Kur një shtet kapet, i gjithë sistemi bie, nuk është i rënë vetëm për opozitën por për të gjithë qytetarët. Ky është mitingu i qytetarëve që kërkojnë një republikë të drejt. Nuk duhet një republikë që ka rënë, ku rrëmbehen të gjitha pushtetet. Reforma në Drejtësi është një dështim i plotë në të gjitha pikëpamjet. Është një republikë që funksionon nga zyra e kryeministrit. Secili ka vendin e tij dhe patjetër të gjithë duhet të jenë atje. Kur republika bie janë të gjithë të shqetësuar. Unë po them do të jenë të gjithë shqiptarët, jo opozita. Rënia e republikës është problem i gjithë shqiptarëve.