A e dinit se Gigi Buffon nuk i feston ditëlindjet?

Sot është një ditë speciale, pasi legjenda Gianluigi Buffon feston ditëlindjen e tij të 42-të. I pyetur në faqen zyrtare të Juventusit se si ndihet në këtë moshë, ai ka lënë të kuptohet se energjia dhe pasioni vijojnë të jenë njëlloj.

“Pasi kalon një moshë të caktuar, nuk feston më me festa të mëdha. Gjithsesi, çdo ditëlindje e pres me buzëqeshje dhe plot kënaqësi. Gjithmonë me familjen, klubin dhe njerëzit që më kanë dashur gjithmonë”, deklaron veterani i portës.

I pyetur për luftën për titullin, Buffon shprehet se deri në fund pret një garë të fortë. “Lazio po bën gjëra të mëdha. Pastaj është edhe Interi, që nuk do të dorëzohet. Te Juventusi jemi të vetëdijshëm dhe e njohim mirë çdo rival. Do të përqendrohemi te ndeshjet tona”.