fbpx

A është modeli kinez qeverisja e së ardhmes?

Nga John Lloyd

Në librin e tij të vitit 2009 “Kur Kina sundon botën”, Martin Zhake vëren me kënaqësi se “ndërsa një rend botëror kinez po fillon të marrë formë, rendi botëror amerikan po gërryhet me një shpejtësi të jashtëzakonshme”.

Libri i tij i vlerësuar gjerësisht, është plot komplimente për politikën kineze aktuale dhe për presidentin e saj, Xi Jinping. Zhake e sheh kombin e madh si një shembull për vendet në zhvillim, sidomos në krijimin e atij që ai e quan një “shtet pro-aktiv, kompetent dhe strategjik”.

Edhe sot Zhake është shumë entuziast për ngritjen e Kinës. Në një video të fundit për “China Daily”, gazeta shtetërore e Kinës në gjuhën angleze, ai parashikon se dominimi botëror i Kinës do të jetë i plotë deri në vitin 2030. Ndër të tjera ai thotë se “fakt është se një sistem ndërkombëtar i udhëhequr nga Kina dhe bota në zhvillim, do të jetë shumë më superior se ai i karakterizuar nga dominimi perëndimor, me SHBA-në dhe Evropën që kanë më pak se 15 për qind të popullsisë botërore”.

Përmes tabelave dhe grafikëve, ai thekson se Kina është para SHBA në aspektin e PBB siç matet nga barazia e fuqisë blerëse dhe në dekadën e ardhshme, do t’ia kalojë edhe në PBB nominale. Zhake beson se Kina është një “qytetar i mirë global”, dhe i konsideron “të turpshëm” fajësimin që shtetet perëndimore, i bëjnë Kinës për menaxhimin e pandemisë.

Pra a është modeli i Kinës shembulli kryesor për të ardhmen, dhe një destinacion i pashmangshëm për shtetet perëndimore?

Ulja e varfërisë në Kinë ka qenë e paprecedentë në histori. Hapja e vendit ndaj botës, i dha mundësi të nxirrte nga varfëria 850 milion njerëz në një çerek shekulli para vitit 2005. Nga kontaktet e mia të kufizuara, kryesisht me gazetarët kinezë disa vjet më parë, shumë prej tyre mendojnë se pasuria e shtuar e Kinës, stabiliteti shoqëror dhe statusi i saj global, nënkupton se ata mund t’i besojnë Partisë Komuniste, ose të paktën të pajtohen me sundimin e saj.

Nën sundimin e Xi ne shohim një qasje që mbështetet në 4 shtylla:

Leninizmi, si fuqia qendrore dhe e pa kundërshtueshme e Partisë Komuniste mbi çdo aspekt të jetës kineze.

Konfucianizmi, i futur së fundmi në shërbim, tiparet kryesore të së cilës besnikëria, dhe konsiderata e drejtësisë theksohen në mënyra që i bëjnë ato të duken mirë me komunizmin.

Kapitalizmi, i maskuar si “komunizëm me karakteristika kineze”, dhe i mbajtur nën kontroll nga kushtet e kuptuara gjerësisht, se partia do të mbajë gjithmonë kontrollin e shtetit.

Ankesa, ose adresimi i zhgënjimit të dikujt ndaj një kauze të veçantë. Në rastin e Kinës, kjo kauzë ka të bëjë me “vitet e poshtërimit” të saj nga imperialistët perëndimorë në dekadat e gjysmës së dytë të shekullit XIX-të dhe dekadat e para të shekullit XX-të – një mënyrë për të forcuar ndjenjën nacionaliste përmes urrejtjes ndaj armiqve të huaj.

Në një libër të fundit me titull “Ngritja e shtetit civilizues”, studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Shkollës Ekonomike të Londrës Kristofer Koker thekson se komunizmi në Kinë është një konceptim ironik, duke pasur parasysh promovimin prej tij të individualizmit të tregut të lirë; dhe se përkufizimi prej tij i Konfucianizmit, ngre shqetësimin kryesor të kësaj filozofie, atë të nevojës për drejtësi.

E megjithatë ky sistem funksionon mirë dhe mbështet pretendimet e Partisë Komuniste për legjitimitet. Arsyeja pse ky sistem do të shihet gjerësisht si një model që do kopjohet, qëndron në suksesin e Kinës në arritjen e qëllimeve jashtëzakonisht ambicioze, nën udhëheqjen pro-aktive të qeverisjes së saj unike.

Në Shtetet e Bashkuara, presidenca e Donald Trumpit e ka degraduar pushtetin ekzekutiv dhe ka zgjeruar përçarjet ekzistuese në vend. Në një ese për “Foreign Affairs”, Suzanne Mettler dhe Robert C. Lieberman shkruajnë se:”Krizat e mëparshme të demokracisë nuk ndodhën rastësisht. Përkundrazi, ato u zhvilluan në prani të një ose më shumë nga katër kërcënimeve specifike:polarizimi politik, konflikti mbi atë që i përket komunitetit politik, pabarazisë së madhe, dhe një fuqie të tepruar të ekzekutivit. Kur këto kushte mungojnë, demokracia ka tendencë të lulëzojë. Kur një ose më shumë prej tyre janë të pranishme, demokracia është e prirur të degradojë. Sot, për herë të parë në historinë e saj, Shtetet e Bashkuara përballen me të katërta kërcënimet në të njëjtën kohë”.

Ndërkohë Bashkimi Evropian, në më shumë se një gjysmë shekulli, nuk ka arritur të bëhet shteti federal që e dëshironin themeluesit e tij. Politika e tij e jashtme është e dobët, nuk ka një ushtri të unifikuar dhe mbetet e varur për mbroje nga NATO, domethënë nga SHBA-ja.

Problemet me të cilat përballet globi, do t’i detyrojnë qeveritë të ushtrojnë një kontroll më të madh mbi popullatat e tyre. Krizat e ardhshme, të cilat mund të çojnë në kërkesa popullore për më shumë ndërhyrje dhe kontroll të shtetit, përfshijnë sa vijon:

Ndryshimi i klimës: Nëse temperaturat rriten ndërmjet 1-3 gradë Celsius, do të ketë reshje më të mëdha shiu që çojnë në përmbytje më të shpeshta dhe më të mëdha; thatësira do të bëhet më e zakonshme; nivelet e detit do të rriten frikshëm deri në vitin 2100.

Pandemitë: Leksioni kryesor i përvetësuar nga qeveritë me Covid-19, është vendosja e bllokimeve policore. Në shumë shtete, janë organizuar protesta kundër tyre, dhe ato mund të përshkallëzohen në krijimin e lëvizjeve opozitare domethënëse, duke sjellë ndërhyrjen e policisë dhe madje edhe të ushtrisë.

Emigrimi: Flukset e rritura të emigrantëve, ka të ngjarë të hasin në rezistencën e fortë të vendeve të ndryshme, sidomos të atyre me ekonomi më të pasura, që do të aktivizojnë policinë, ushtrinë, rojen bregdetare dhe forcat e tjera të sigurisë.

Mungesa e ushqimit dhe ujit: Thatësira dhe uria do të krijojnë stimuj shtesë në përpjekjet e dëshpëruara të banorëve të këtyre rajoneve për të shkuar drejt vendeve të pasura.

Inteligjenca Artificiale: Rritja e saj dhe automatizimi do të shkaktojnë pushime të mëdha nga puna, rritje të vështirësive ekonomike dhe shtim të protestave në rrugë.

Përhapja e armëve bërthamore: Kjo do të çojë në një militarizim më të madh të shteteve, dhe regjime të ashpra të sigurisë së brendshme.

Pabarazia: Konflikti më i madh shoqëror në demokracitë perëndimore do t’i radikalizojë brezat e rinj, duke qenë një barrë e shtuar për forcat e rendit dhe ligjit.

Dobësimi i institucioneve ndërkombëtare: Dështimi i mundshëm i organizatave të tilla si Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, FMN, Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe organeve të tjera, do të nënkuptojë një ulje të disponueshmërisë së ndihmës dhe menaxhimit të krizave nga institucionet me përvojë.

Përçarja e Shteteve të Bashkuara: Sistemi demokratik dhe ai elektoral amerikan kërcënohen nga 2 rreziqe emergjente:nga një valë e dytë vdekjeprurëse e Covid-19, dhe nëse kontestohet rezultati i zgjedhjeve presidenciale në nëntor.

Aktualisht, Kina ka arritur ta kontrollojë më mirë virusin sesa shumë demokraci perëndimore. Në një ese për “Foreign Affairs”, Frensis Fukujama shkruan:”Shpërndarja globale e energjisë do të vazhdojë të zhvendoset drejt lindjes, pasi Azia Lindore ka bërë më mirë në menaxhimin e situatës se sa Evropa ose SHBA-ja”.

Por gjithsesi Kina nuk është model për një shtet modern. Ajo është një autokraci, përgjithësisht e bashkuar në fytyrën që i shfaq botës së jashtme, por mizore dhe despotike në shtëpi, dhe kërcënuese për fqinjët e saj të afërt. Qindra qytetarë kinezë janë burgosur për shkak se kanë kërkuar liri politike, e kanë akuzuar shtetin për korrupsion dhe për shtypjen e të drejtave të njeriut.

Ndërkohë arritjet e qeverisjes demokratike dhe shoqërive civile aktive në Perëndim që nga viti 1945 kanë qenë po aq të jashtëzakonshme sa rritja ekonomike e Kinës. A janë bërë zgjedhësit në Perëndim kaq të zhgënjyer dhe mosbesues ndaj këtyre vlerave dhe praktikave, saqë të duan kuadrot e disiplinuar dhe nënshtrimin që ofrojnë shtetet autoritare? Kjo është një pyetje pa kuptim:Por edhe tani, është e vështirë të besosh se përgjigja për këto pyetje është një “po” e dobët.

Shënim: John Lloyd, është redaktor në “Financial Times” dhe bashkë-themelues i Institutit Reuters për Studimin mbi Gazetarinë në Universitetin e Oksfordit.

Marrë me shkurtime nga “Quillete” – Bota.al