A ka mazhoranca një kandidat për zëvendësimin e Metës? Ja çfarë thotë Taulant Balla

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka komentuar vendimin e Komisionit të Venecias lidhur me presidentin Ilir Meta.

I pyetur nëse mazhoranca ka gati një tjetër kandidat në vend të Ilir Metës, ai thotë se ende nuk është menduar pasardhësi.

“Kuvendi është një prej hallkave në proces, Kushtetuesja është ajo që thotë fjalën përfundimtare. Padyshim opinioni i Venecias ka konkluduar se kemi të bëjmë me shkelje të kushtetutes ne veprimin e Presidentit. Kuvendi siç thotë edhe Venecia, do të vlerësojë nëse shkelja është e rëndë sipas nenit 90 e më pas vlerësimin e saj e bën vetëm Gjykata Kushtetuese. Komisioni duhet të kryejë punën e caktuar, pas afateve që i është vënë nga Kuvendi. Kam qenë një nga 55 firmëtarët që kanë kërkuar shkarkimin e Metës. Komisioni i Posaçëm Hetimor që po heton presidentin ka një plan hetimor dhe ka dëgjuar personin nën hetim. Ka marrë ose do të marrë edhe opinionin përfundimtar dhe do të dalë në përfundim me konkluzionin përfundimtar. Fjalën e fundit e thotë Gjykata Kushtetuese. Certifikimin e saj e bën vetëm ky institucion. Nuk kemi menduar pasardhës për presidentin Meta”, tha Balla.