A kishte frikë Nexhmija nga Enveri? Fevziu: Nuk më rezulton kështu, ajo ishte si Elena Çaushesku

Gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu foli në studion e lajmeve të Ora News lidhur me vdekjen e Nexhmije Hoxhës. Fevziu komentoi së pari rolin që ka pasur Nexhmija te bashkëshorti i saj Enver Hoxha. Sipas gazetarit, ka dyshime rreth ndikimi të saj te Enveri.

Blendi Fevziu: Nexhmie Hoxha nuk ka qenë vetëm bashkëshortja, por edhe drejtuese në partinë komuniste. Natyrisht atë e asiocojnë më shumë me rolin e të shoqit pas vitit 1973. Është pikërisht koha kur brenda Partisë së Punës fillojnë spastrimet. Në këtë rol ka gjithmonë dyshime në lidhje me rolin e Nexhmije Hoxhës. Është  e vështirë të gjesh dokumenta të shkruara, pasi bisedat burrë grua nuk bëhen me dokumenta. Ka autorë të ndryshëm që thonë se ajo ka pasur ndikim, ka të tjerë që thonë se nuk ka pasur.

Blendi Fevziu, lidhur me një mendim të shprehur nga Isuf Kalo në librin e tij për Enver Hoxhën, se Nexhmija e kishte frikë bashkëshortin, shprehu një tjetër qëndrim. Ai tha se kjo gjë nuk rezulton të jetë e shkruar në dokumenta. Megjithatë, ai tha se Nexhmija në kujtimet e saj justifikonte veprimet e Enver Hoxhës.

Blendi Fevziu: Nuk më rezulton askund në dokumentat që unë kam lexuar, që Nexhmija kishte frikë nga Enveri. Unë nuk e kam njohur në këtë aspekt. Unë e njoh nëpërmjet dokumentave dhe nuk ka asnjë thyerje në raport me Enver Hoxhën. Ajo ka qenë e pranishme në çdo vendim politik të Enver Hoxhës. Nexhmije Hoxha i ngjante më shumë rolit që ka pasur Elena Çaushesku, që kishte një ndikim publik. Kujtimet e saj vazhdimisht kanë justifikuar krimet e Enver Hoxhës.