A mund ta përdorni ende kremin mbrojtës të vitit të kaluar?

Të gjithë e duam motin e ngrohtë në verë – ose edhe në pranverë, kur jemi me fat dhe mban moti. Ideale është që kohën me diell ta shijojmë duke u mbrojtur prej tij përpara se të ekspozohemi. Disa njerëz përdorin të njëjtin produkt që ka mbetur nga viti i kaluar, ndërsa të tjerët shkojnë në dyqane për të blerë një krem të ri mbrojtës. Dhe lind pyetja: mbrojtësi nga dielli i vitit të kaluar a “funksionon” si duhet?

Kur blini një produkt për mbrojtjen nga dielli, etiketa zakonisht thotë se kohëzgjatja e përdorimit të tij do të zgjasë rreth 12 muaj pas hapjes. Prodhuesit e këtyre produkteve thonë se SPF, faktori mbrojtës, do të jetë përgjysmuar pasi ka kaluar një vit. Sipas tyre, kjo ndodh sepse produkti vazhdimisht është në kontakt me rrezatimin UV, oksigjenin dhe nxehtësinë gjatë verës. Kjo është arsyeja pse locioni bëhet më pak efektiv me kalimin e kohës.

Por mesa duket mes dermatologëve pati edhe skeptikë, të cilët ndërmorën nismen për të bërë një provë, në mënyrë që të dinin të vërtetën në lidhje me arsyetimin e mësipërm, pra nëse SPF i një produkti të përdorur prej një viti ishte zvogëluar apo jo.

Për këtë u testuan pesë produkte për fëmijët me faktor mbrojtës të lartë SPF 50+: Eucerin Kids Sun, Nivea Sun Kids, Garnier Ambre Solaire Kids, Solait Kids dhe Aptonia Kids.

Gjatë vitit, kremrat iu nënshtruan temperaturave të larta dhe të ulëta por dhe u hapën shpesh gjatë një periudhe dy javore, për t’u ripërdorur pas një viti.

“Testi tregoi se të gjitha produktet kishin ende një SPF prej 50+ dhe kishin ruajtur mbrojtjen e UVA”, shpjeguan dermatologët. “Kjo do të thotë se testet tona tregojnë se mbrojtësit ndaj diellit mund të përdoren për më shumë se një vit”.

Pra, nuk keni përse ta hidhni menjëherë produktin ndaj mbrojtjes së diellit, por është e rëndësishme të mbani në mend disa gjëra. Për shembull, mos e lini shishen të hapur pas përdorimit dhe mos e vendosni në errësirë. Gjatë vitit ruajeni produktin në një vend të freskët, të thatë – larg nga dielli.

Gjithashtu ka disa detaje të tjera që duhet të kontrolloni para se të përdorni produktin. Nëse ka erë të çuditshme ose cilësia ka ndryshuar plotësisht, ju duhet ta hedhni atë gjithsesi. Por nëse duket mirë, patjetër që mund ta përdorni atë. /real-news.tv/