A munden vendet e BE të bllokojnë Brexit?

73C339A6-4606-4103-B09B-EBB790825E20.jpeg

Kërcënimet e kryeministrit spanjoll për të bllokuar marrëveshjen Brexit këtë javë lidhur me pretendimet e Madridit ndaj territorit të vogël të Britanisë së Gjibraltarit në bregun spanjoll kanë ngritur pikëpyetje për aprovimin e marrëveshjes Brexit.
Ja ku janë rreziqet dhe pse ato janë të kufizuara:

‘MARRËVESHJA E TËRHEQJES’
Marrëveshja me BE përcakton kushtet për daljen e Britanisë më 29 mars, duke përfshirë një periudhë tranzicioni 21-mujore. Një draft marrëveshje u miratua nga negociatorët e BE dhe qeveria e kryeministres britanike Theresa May javën e kaluar. Këshilli Europian i 27 liderëve kombëtarë do të japë miratimin e tij politik në një samit në Bruksel të dielën në orën 10:00 përpara mbajtjes së një takimi me May për të demonstruar angazhimin e të dyja palëve.
Sikur Spanja apo ndonjë qeveri tjetër të refuzojnë të miratojnë tekstin të dielën, procesi do të mbetej peng nga kjo mungesë konsensusi dhe mund të nevojiten negociata të mëtejshme.
Megjithatë, qeveritë do të kenë mundësi të zgjidhin problemet gjatë takimeve të të dërguarve të tyre në Bruksel.
Pas samitit, May do të dorëzojë marrëveshjen në një votim në parlamentin britanik. Aprovimi i marrëveshjes është i pasigurt.

DOKUMENTI POLITIK
Krahas marrëveshjes së daljes me 585 faqe, udhëheqësit duhet të japin miratimin e tyre politik për një deklaratë me 20 faqe ku përcaktohet marrëdhënia e tyre të ardhshme me Britaninë. May do të takohet me shefin ekzekutiv të BE Jean-Claude Juncker dhe diplomatët shpresojnë se mund të finalizojnë marrëveshjen.
Deklarata do të përcaktojë ambiciet për një marrëveshje të thellë të tregtisë së lirë dhe bashkëpunim të ngushtë për sigurinë dhe çështjet botërore.
Ashtu si me traktatin, çdokush mund të thyejë konsensusin, por kjo nuk ka gjasa. Zyrtarët duhet të sigurojnë që udhëheqësit të kenë një tekst që mund të miratojnë atë që është planifikuar në samitin e shkurtër një-orësh.
Parlamenti Europian do të marrë në konsideratë pëlqimin e tij për marrëveshjen së bashku me shqyrtimin e deklaratës politike.

TRAJTIMI I ARDHSHËM
Sapo të jetë larguar nga BE, të dyja palët do të fillojnë të negociojnë një marrëdhënie të re në bazë të deklaratës politike, me shpresën që të ketë diçka të gatshme deri në fund të tranzicionit. Të 27 shtetet e tjera anëtare kanë hedhur kërkesa kontradiktore kombëtare për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen me Britaninë. Zyrtarët e BE presin që mospajtimet të lihen mënjanë për të arritur konsensus mbi deklaratën.
Sapo Komisioni Europian të ketë negociuar marrëveshjen, ai do ta kthejë atë në Këshill, i cili përsëri do të duhet të japë miratimin politik konsensual.

scroll to top