fbpx

A po fshihen lejet e ndërtimit? Hetimet në Durrës hasin në vështirësi

FOTO-EMIRJONI-770x433-1.jpg

Hetimet për godinat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit po hasin vështirësi.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për të vënë para drejtësisë përgjegjësit në rastet e godinave të dëmtuara të cilat janë ndërtuar jashtë standardeve. Por prokurorëve nuk po i vihen në dispozicion dokumentat e nevojshëm.

Burime nga Prokuroria e Durrësit i thanë “Abc News” se në bashki mungojnë dokumentet për lejet e ndërtimit, të dhëna vitet e fundit. Po ashtu, prokurorëve nuk u janë vënë në dispozicion akt-konstatimet e objekteve që janë dëmtuar më 26 nëntor.

ABC News raporton se: Prokurorët që po kryejnë hetimin, u kanë kërkuar inxhinierëve që po bëjnë akt-konstatimet në terren, që të mbajnë shënime të detajuara në lidhje me të gjitha objektet, ku kanë kryer verifikime, në të kundërt, ata janë paralajmëruar se do të mbajnë përgjegjësi penale.

Deri tani prokurorët kanë marrë mostra në të gjitha objektet ku janë konstatuar dëme deri më tani dhe janë dërguar në laboratorë për të analizuar cilësinë e betonit dhe elasticitetin e tij. Por një pjese e objekteve ku ka pasur viktima janë të legalizuara, por mungon dokumentacioni tekniko-ligjor për cilësinë e punimeve.

Një tjetër problem që po has prokuroria është edhe për faktin që shumë firma ndërtimi që kanë ndërtuar disa objekte, tanimë nuk ekzistojnë më ndërsa në bashki nuk janë gjetur lejet e ndërtimit që janë dhënë vitet e fundit.

Kjo ngre dyshimet se këto dokumenta mund të jenë lëvizur nga persona të cilët e dinë që janë të implikuar në veprime të jashtëligjshme sa i përket ndërtimit të pallateve jashtë standardeve.

Kujtojmë se ditën e djeshme ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako u shfaq pranë kryeministrit Edi Rama dhe dëgjohej ti kërkonte “rregullimin” e disa letrave për të cilën mori edhe “OK” e kryeministrit.

Vangjush Dako ka qenë në krye të Bashkisë së Durrësit për 12 vite që prej vitit 2007 dhe më herët ka drejtuar policinë ndërtimore si dhe zyrën e regjistrimit të pasurive në këtë qark. Ai nuk është shprehur ende në lidhje me dëmet që shkaktoi tërmeti në Durrës. Nuk dihet ende nëse ai do të thirret nga prokuroria për të dëshmuar në lidhje me këtë çështje.

Pas tërmetit të 26 nëntorit humbën jetën 51 persona dhe u dëmtuan 5514 shtëpi. Deri të enjten, sipas specialistëve, është vendosur që të shemben 70 objekte që kanë pësuar dëmtime në strukturë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303