fbpx

Aksioni në Lezhë, sekuestrohet sasi e madhe droge dhe armë, detajet

sai.png

Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin policor të koduar Zmeja. Sipas njoftimin, bëhet me dije se 2 persona janë arrestuar dhe është sekuestruar sasi e madhe droge dhe armë zjarri.

Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Zmeja”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Mirditë dhe Lezhë.

Vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen drogë dhe armë zjarri.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se me një automjet që lëvizte në drejtim të Mirditës, po transportonin lëndë narkotike, në afërsi të fshatit Jezull, Mirditë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Zmeja”.

Si rezultat, u bë lokalizimi dhe ndalimi i automjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Opel”, me drejtues shtetasin R. L. dhe pasagjer shtetasin K. Z., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 thasë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 36 kilogramë.

Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së DVP Dibër, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit R. L., në fshatin Zall Dardhë, Dibër, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, një pistoletë shenjëdhënëse dhe municion luftarak.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
R. L., 28 vjeç, banues në Zall Dardhë, Dibër dhe K. Z., 28 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303