Aksioni opozitar/ Basha mbledh aleatët: Protestat do të vijojnë

Partia Demokratike ka mbledhur sot forumet për të diskutuar dhe vendosur në lidhje me vazhdimësinë e aksionit opozitar, teksa kryetari Lulzim Basha paralajmëroi dje se do të intensifikohet. Sot në orën 10:30 lideri demokrat Lulzim Basha është takuar me aleatët e vegjël, por jo LSI-në, pasi Monika Kryemadhi ndodhet në SHBA, në 11:30 do të takohet me Kolegjin e kryetarëve dhe në 17:00 me Kryesinë dhe ish-deputetët për detajet e aksionit opozitar.

Deri tani opozita ka zhvilluar pesë protesta kombëatre dhe disa të tjera para parlamentit, ndërsa ka bllokuar edhe rrugët dy herë, teksa pritet se cfarë do të ndodhë më tej, pasi PD dhe LSI-ja nuk janë regjistruar në zgjedhje dhe kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e procesit në 30 qershor.

Pas gatishmërisë së shprehur nga dy deputetët gjermanë të grupit parlamentar CDU/CSU për të ndihmuar në kapërcimin e krizës dhe shtrirjes së dorës për dialog nga kryeministri Edi Rama mesditën e djeshme, lideri demokrat tha se është gati për negociata (jo dialog sikur tha Rama) por me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe vendosi si kusht të panegociueshëm largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.

Pas takimit me Bashën aleatët e vegjël, së bashku me Petrit Vasilin nga LSI-ja, pasi Kryemadhi ndodhet në SHBA, kanë lënë zyrën e PD-së. Për mediat ka folur vetëm kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili është shprehur se protestat do të vijojnë, por nuk ka dhënë detaje për skenarin apo datën. Ai akuzoi PS-në për manipulim të zgjedhjeve.

Zgjedhje ne 30 qershor nuk ka. PS-ja ka filluar manipulimin zgjedhor që tani me spostimin e KQZ te arshivat, tani ka vetëm 25 kandidatë dhe gara është false. Kjo është që sot ka filluar manipulimi, zgjedhjet kanë rënë moralisht dhe praktikisht.

Edhe sikur ti mbushin plot letrat nuk do të lejojmë që të zhvillohen zgjedhjet. Nuk heqim dorë nga takimet me ndërkombëtarët, por aksi kryesor është protesta e rrugës deri në fund kur të mbërrijmë një zgjidhje finale.

E konsiderojmë pozitive për Shqipërinë që të vijë dita dhe të bëhen zgjedhje, pasi këtu nuk mund të ketë. Ky është mesazhi kryesor, këtë diskutuam dhe do të diskutojmë. Ka shumë alternativa për protestën e radhës, qyteti mund të prodhojë përditë, por ne do të marrim pjesën më pozitive. Në nuk bëjmë protestë për protestë, por pasi po shkelet rregullat e lojës” deklaroi Dashamir Shehi.