fbpx

Akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit, ç’po ndodh? Vjen lajmi nga Gjykata Speciale

LA.jpg

Dhe 17 ditë është afati për gjyqtarin Nicolas Guillou që të konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzat për Presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK Kadri Veseli.

Dhomat e Specializuara në Hagë nuk kanë pohuar dhe as mohuar nëse janë proceduar për gjykim akuzat ndaj Thaçit e Veselit për krime lufte.

Dhomat e Specializuara kanë thënë se një aktakuzë mund të konfirmohet dhe të mos bëhet publike menjëherë, pa dashur të specifikojnë nëse rregulli i njëjtë është aplikuar edhe në rastin e Thaçit e Veselit.

“Derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj. Gjyqtari i procedurës paraprake, në varësi të specifikave të çështjes individuale, ka deri në gjashtë muaj kohë për të marrë një vendim nëse do ta hedhë poshtë ose do ta konfirmojë aktakuzën.

Në të njëjtën kohë, rregullat parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar që ajo të bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas depozitimit të saj”, thuhet në përgjigjjen e shefes së Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara, Angela Griep.

Dhomat e Specializuara përmendin një rregull, sipas të cilit, gjyqtari i procedurës paraprake në disa raste mund të urdhërojë që aktakuza e konfirmuar të mos publikohet për një kohë.

“Për shembull, rregulli 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë moszbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur ndërprerjet në procedurë. Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarit para Gjykatës”, thuhet në përgjigjjen e Dhomave të Specializuara.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar i qëndron prapa njoftimit të 24 qershorit, ku publikisht bënte të ditur se kanë deponuar në Dhomat e Specializuara aktakuzën e pakonfirmuar kundër Thaçit, Veselit dhe 9 të tjerëve.

 “Çështja e konfirmimit të një aktakuze është çështje e Dhomave të Specializuara dhe gjyqtarit të procedurës paraprake. ZPS nuk deklarohet më shumë sesa ç’është thënë në deklaratën e 24 qershorit”, ka thënë Christopher Bennett, nga Zyra e Prokurorit të Sepcializuar.

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303