Alabama aprovon ligjin kundër abortit

Ligjvënësit e Alabamas kanë miratuar një ligj që ndalon abortin pothuaj në të gjitha rastet, duke u bërë kështu ligji më strikt që miratohet në SHBA.

Senati i shtetit miratoi ligjin i cili nuk parashikon përjashtim në rastet e përdhunimit apo incestit.

Ligji do të kalojë tanimë te guvernatorja republikane Kay Ivey. Ajo nuk është shprehur ende qartë nëse do ta nënshkruajë ose jo, por ajo njihet si një kundërshtare e fortë e abortit.

Kufizimet mbi të drejtat e abortit janë futur këtë vit në 15 shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Organizata Kombëtare për Gratë e quajti ndalimin “jokushtetues” dhe tha se ishte “një përpjekje e dukshme për të nxitur mbështetjen politike për kandidatët anti-abort në zgjedhjet e ardhshme”.

Senatori demokrat Bobby Singleton tha se projektligji “kriminalizon mjekët” dhe është një përpjekje e burrave për t’u treguar grave se çfarë duhet të bëjnë me trupat e tyre.

Mjekët mund të përballen me 10 vite burg për përpjekjen me qëllim ndërprerjen e shtatzënisë./real-news.tv/