Albin Kurti dhe Vjosa Osmani bien dakord kush do të jetë kryeministër

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani kanë zhvilluar një takim të përbashkët ku ranë dakord për bashkëqeverisje.

Sa i përket postit të kryeministrit, ata ranë dakord që kryeministër do të jetë kush ka qoftë edhe një votë më shumë.

Për Kurtin rezultati aktual nuk do të ndryshojë, por për Osmanin rezultati do të konfirmohet vetëm pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të emigrantëve.

“Ne si LDK e kemi deklaruar edhe më parë që po presim rezultatin final dhe nëse konfirmohet, kushdo që del se ka më shumë vota ka fituar edhe kryeministrinë. Pozitën time ku do të jem unë do ta marr vendimin unë bashkë me partinë”.

“Do të presim rezultatin final të numërimit sepse është respekt ndaj qytetarëve. Janë në pyetje rreth 20 mijë vota të mërgatës dhe 20 mijë me kusht. Pa hezitim në bashkëqeverisjen tonë ne do t’ia urojmë njëri-tjetrit”.

Kurti gjithashtu deklaroi se ata kanë uruar njëri-tjetrin për gjithçka.

“Ne do të qeverisim bashkë dhe rezultatet preliminare i kemi dhe nuk besoj që do të ndryshojnë. Ne e uruam njëri-tjetrin për gjithçka. Por për darkordim dhe korrektësi është certifikimi i zgjedhjeve nga KQZ”.

Sa i përket koalicionit me Listën Serbe Kurti tha se do të respektojnë Kushtetutën që një ministri të drejtohet nga komuniteti serb, mirëpo se fillimisht do të bisedojë me serbë që e pranojnë Kosovën shtet.