Albin Kurti komenton mbledhjen e përbashkët të qeverive Shqipëri-Kosovë

Kryetari i Lëvizjes 'Vetëvendosje', Albin Kurti komentoi këtë të martë mbledhjen e qeverisë shqiptare me atë kosovare në Pejë. Ai u shpreh për "Kosova Post" se në rast se marrëveshjet e dakordësuara nuk finalizohen, takimi i djeshëm do të ngelet në vrazhdën e atyre takimeve jo produktive.

Kryetari i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti e vlerësoi të rëndësishme mbledhjen e qeverisë shqiptare me atë kosovare në Pejë, megjithatë, ai u shpreh se uron që marrëveshjet e arritura të mos ngelin vetëm në letër.

Në një deklaratë për “Kosova Post”, Kurti tha se në rast se marrëveshjet nuk finalizohen, mbledhja e dy qeverive do t’i ngjajë më shumë dy ekipeve të futbollit që e përfunduan takimin e tyre si një ndeshje miqësore.

“Të jesh shqiptar është përgjegjësi, por kjo përgjegjësi është politike e publike, është konkrete dhe do të duhej të dëshmohet më së shumti e më së pari prej atyre që i kanë mundësitë më të mëdha, e këta janë qeveritarët. Pra, shumë mirë që e bënë shqiponjën, por nëse nuk shkohet përtej kësaj kjo më shumë i ngjan dy ekipeve të futbollit që e përfunduan një ndeshje miqësore, sesa që ndanë detyrat të cilat do të na i zbatojnë shpejtë e mirë”, komentoi Kurti.

Mes të tjerash, kryetari i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ shtoi se ende nuk ka arritur të njihet me marrëveshjet e dakordimit dhe nuk ngurroi të komentonte se përgjithësisht mbledhjet e ceremonitë e këtij lloji gjithnjë shoqërohen nga parada dhe sfilata.

“Unë uroj që pas kësaj mbledhje të mos jetë si herët e tjera, ku konsumi mediatik përfundon shpejt e shpejt dhe më pastaj shqiptarët në të dy anët e kufirit e vazhdojnë jetën e tyre edhe me papunësi e varfëri, por edhe jo më shumë të bashkuar siç do të dëshironin ata të ishin”, tha më tej ai.

Shqipëria dhe Kosova zhvilluan ditën e djeshme mbledhjen e pestë të qeverive në qytetin e Pejës. Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së përbashkët foli mbi vendimin e Kosovës për vendosjen e tarifave 100% ndaj çdo produkti serb që hyn doganë, duke e cilësuar si një vendim 100% politik dhe si reagim ndaj goditjeve të njëpasnjëshme që Serbia i ka dhënë deri më tani Kosovës. Nga ana tjetër, Rama theksoi se nga 1 janari Shqipëria dhe Kosova do të zerojnë tarifat me njëra-tjetrën, duke unifikuar doganat.

Shqipëria dhe Kosova firmosën konkretisht nëntë marrëveshje me interes të ndërsjellë, përfshirë unifikimin doganor, heqjen e tarifave roaming apo edhe njohjen e patentave nga të dy vendet.

Lër një koment