Antiterrori grek vë në pranga Yiannis Michailidis, i arratisur nga burgu rural i Tirinthias verën e vitit të kaluar.
Michailidis njihet si pjesëtar i grupit grek “Bërthama e Zjarrit”.
Operacioni u zhvillua mëngjesin e të mërkurës dhe bashkë me të u arrestuan edhe dy gra.
Të tre të arrestuarit ishin në një makinë të vjedhur kur u vunë në pranga nga Anti-terrori.
Sipas policisë, njëra nga dy gratë besohet të jetë një bashkëpunëtore e Pola Roupa, udhëheqësja e parë dhe e vetme femër e grupit grek terrorist “Lufta Revolucionare”, e cila u arrestua tre vjet më parë.
Një numër i madh i armësh u gjetën në posedimin e tyre.
Yiannis Michailidis është dënuar me 23 vjet e 9 muaj burg, pas një përleshje me armë me policinë në Pefki, gjatë së cilës u plagosën dy oficerë policie dhe një i ri.
Në të njëjtën kohë, ai u akuzua edhe për dy grabitje bankash në Velvento, Kozan.
Ai u bë i njohur për opinionin grek edhe si “shigjetari”, pas një sulmi në qendër të Athinës në shkurt 2011.
Fotografia që bëri xhiron në mediat greke, tregonte Michailidis duke drejtuar harkun e tij me shigjetë drejt Godinës së Kuvendit.
Pas incidentit ai u arrestua dhe u la i lirë me kushte kufizuese. Ai argumentoi se harku është i rremë.