fbpx

Apple nën presion e FBI heq dorë nga enkriptimi i plotë i kopjeve rezervë

Apple ka braktisur planet për të lejuar pronarët e iPhone të mbajnë një kopje rezervë të të dhënave të tyre në aplikacionin iCloud pasi Zyra Federale e Hetimeve Federale FBI u ankua se mund të pengojë hetimet e saj, thonë burime për Reuters.

Dy vjet më parë, Apple i tha FBI-së se planifikon t’u ofrojë përdoruesve ruajtjen e të dhënave të koduara në iCloud, thanë për Reuters një punonjës i FBI dhe tre ish-punonjës, si dhe një aktual dhe një ish-punonjës i Apple.

Sipas planit, i projektuar kryesisht për të parandaluar hakimin, Apple nuk do të jetë më në gjendje të zhbllokojë të dhënat e koduara edhe nëse urdhërohet nga gjykata.

Zyrtarët e FBI kanë shprehur kundërshtim në bisedimet private me Apple menjëherë pasi u njoftua plani.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka ndërhyrë gjithashtu, duke akuzuar Apple se nuk ka pranuar të zhbllokojë celularët “e vrasësve, tregtarëve dhe elementëve të tjerë të dhunshëm”.

Apple, megjithatë, ia dorëzoi të dhënat në iCloud autoriteteve për sulmin në Pensacola dhe hodhi poshtë pretendimin se “nuk dha mbështetje të rëndësishme” në hetim.

Një ish-punonjës i Apple nuk deklaroi në një prononcim për Reuters arsyet e heqjes dorë nga plani origjinal, dhe as nuk konfirmoi që kompania e bëri këtë nën presionin e FBI.

Ish-punonjësi i shpjegoi Reuters-it se kompania nuk dëshiron të rrezikojë të bëhet objektivi i një sulmi publik nga zyrtarët që e akuzojnë atë për mbrojtjen e kriminelëve.

“Ata vendosën që të mos konfrontohen,” tha një burim për padinë e vitit 2016 kur u pyet nga FBI për të hyrë në një iPhone të përdorur nga një prej të dyshuarve në një gjuajtje masive në San Bernardino, Kaliforni.

Apple më pas iu drejtua gjykatës mbi një urdhër të FBI për të deshifruar iPhone, por qeveria hoqi dorë nga procesi, pasi gjeti një ekspert që të thyejë kodin, transmeton KosovaPress.

Në dhjetor, senatorët republikanë dhe demokratë kërcënuan të miratojnë ligje kundër enkriptimit të ashtuquajtur ‘fund-në-fund’.