Arabia Saudite kundër rezolutës së Senatit të SHBA

Arabia Saudite ka kritikuar rezolutat e Senatit amerikan për t’i dhënë fund ndihmës ushtarake amerikane për luftën e udhëhequr nga Riadi në Jemen dhe për të fajësuar Princin e Kurorës për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Ministria e Jashtme saudite e cilësoi lëvizjen si ndërhyrje bazuar në aludime të pabaza. Rezolutat amerikane janë kryesisht simbolike dhe nuk ka gjasa të marrin formën e ligjit. Por ato i dërgojnë një paralajmërim Presidentit Donald Trump për zemërimin e ligjvënësve amerikanë kundrejt politikave të Arabisë Saudite.

“Mbretëria dënon pozicionin më të fundit të Senatit amerikan. Një pozicion i tillë është ngritur mbi akuza të pabaza. Arabia Saudite refuzon çdo ndërhyrje në çështjet e saj të brendshme. Mbretëria edhe më herët ka thënë se vrasja e qytetarit saudit Jamal Khashoggi është një krim për të ardhur keq që nuk reflekton politikat e mbretërisë dhe as institucioneve të saj dhe riafirmon refuzimin e çdo përpjekjeje për ta nxjerrë këtë rast jashtë kursit të drejtësisë”-thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme saudite.

SHBA deri më tani nuk i është përgjigjur publikisht deklaratës saudite.

Rezoluta e miratuar nga Senati i SHBA javën e kaluar thotë se “beson se Princi i Kurorës Mohammed bin Salman është përgjegjës për vrasjen e Jamal Khashoggi” dhe “bën thirrje që qeveria e Mbretërisë së Arabisë Saudite të sigurojë llogaridhënien e duhur për të gjithë ata që janë përgjegjës për Jamal Khashoggi vrasje”

Khashoggi, një rezident amerikan dhe gazetar i Washington Post, u vra në konsullatën saudite në Turqi në tetor. Khashoggi ishte një kritik i hapur i qeverisë saudite.

Lër një koment