‘Arratiset’ Partizani, në fushë plas grushti

partizani-flamurtari.png

Partizani-Flamurtari ishte një sfidë e rëndësishme e javës së 23-të të Kategorisë Superiore. “Të kuqtë” e Gegës fituan ndaj vlonjatëve 3-1, në një sfidë që do të diskutohet më shumë për tensionet e shkaktuara nga tifozët në fundin e pjesës së parë, sesa për rezultatin.

Bardhi kaloi Partizanin në avantazh, por Flamurtari barazoi me Ribajn. Në këtë moment u nxehën gjakrat, pasi një grup tifozësh u kapën me fotografin e Flamurtarit, që po fiksonte festimin e golit të skuadrës vlonjate, transmeton Top Channel.

Ata kaluan gardhin rrethues të stadiumit dhe bënë që ndeshja të ndërpritej për disa minuta, ndërkohë që u kërkua edhe ndërhyrja e policisë. Në kulmin e kësaj situate, arbitri ndëshkoi me kartonin e kuq Ribajn, pas një debati të këtij të fundit me tifozët, ndërkohë që pas mbylljes së pjesës së parë, pas 5 minutave të shtesës, u pa edhe trajneri Ilir Daja të protestonte te delegatët e FSHF-së.

Në pjesën e dytë, situata ishte më e qetë, me Partizanin që shënoi edhe dy gola të tjerë. Hebaj shënoi dy herë në harkun e 4 minutave, për të fiksuar shifrat në 3-1 për Partizanin. Ky i fundit thellon diferencën me Teutën, që u mund në Gjirokastër nga Luftëtari, me rezultatin 1-0. Ishte Rapo ai që i dha këto 3 pikë të çmuara Luftëtarit, ndërkohë që Progni i Teutës humbi një 11-metërsh, që do të barazonte rezultatin./real-news.tv/

 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303