Arrestime masive me armë pa leje dhe shpërndarës droge në Tiranë

Pesë persona u arrestuan dhe një i gjashtë u shpall në kërkim pas një operacioni të strukturës “Forca e Ligjit” në Tiranë. Të arrestuarit akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Në vijim të zbatimit të Forcës së Ligjit në territor, Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, Seksioni kundër Narkotikëve në bashkëpunim dhe me shërbimet e tjera të Policisë së Tiranës  kanë ushtruar kontrolle në lokale, ambiente, banesa dhe në akset rrugore të kryeqytetit për kapjen e personave në kërkim, të atyre që posedojnë sende apo lëndë të kundraligjshme.

Gjatë kontrolleve u kapën dhe arrestuan në flagrancë Premtim Qendro, 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij u gjetën 61 gramë lëndë e dyshuar Kokainë, 7 doza cannabis Sativa dhe një thikë.

Baftjar Selimi, 54 vjeç, banues në Tiranë, u vu në pranga pasi gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Pitall, në banesën e tij u gjet 2 kg e 147 gramë Cannabis Sativa.

Ferit Xhani, 28 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua pasi gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën “Pjetër Budi”, iu gjetën 16 doza me Cannabis Sativa.

Gerli Prifti, 21 vjeç, banues në Tiranë, u kap në rrugën “Pandi Dardha” ku iu gjetën 6 doza Cannabis Sativa.

Ndërkaq, Juljan Shullazi, 27 vjeç, banues në Vorë, u arrestua pasi në Fushë-Prezë gjatë kontrollit të ushtruar të automjetit tip “Benz”, iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.

Po ashtu u shpall në kërkim për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, A. H., 39 vjeç, banues në Kamëz. Gjatë kontrollit në banesën e tij,  policia gjeti iu një armë zjarri automatik dhe një krehër me sasi fishekësh.

“Forca e Ligjit në Territor do vijojë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Tiranë, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë”, thuhet në një njoftim zyrtar të policisë. /real-news.tv

Lër një koment