Arrestimet e bujshme, Xhafaj falenderon policinë: Asnjë rrjedhje informacioni

Aksion shembullor e ka vlerësuar ministri i Punëve të Brendshme angazhimin e strukturës “Forca e Ligjit” që solli disa arrestime të bujshme në fushën e trafikut të drogës në Shqipëri, ditët e fundit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Fatmir Xhafaj, thotë se operacionet janë zhvilluar në konfidencialitet të plotë, duke hedhur poshtë zërat për dekonspirim. Vlerësime ndan edhe ndaj prokurorisë për drejtimin e aksioneve dhe bashkëpunimin, ndërsa thekson se nuk bëhet fjalë për show por për një luftë reale – sipas tij – kundër krimit të organizuar.

Postimi i ministrit të Brendshëm

Forca e Ligjit në një tjetër SUPER OPERACION policor në goditjen me ashpërsi ndaj grupeve kriminale të skeduara nga Task Forca Speciale. Goditje ndëshkuese ndaj grupeve në fushën e prodhimit dhe trafikimit të drogës. Forca e Ligjit mbi gjithçka e mbi cilindo.

Në 3 ditë një operacion i shtrirë në 12 qytete, me 100 objekte të kontrolluara në territor, me 27 të arrestuar e 6 në kërkim, drejtues dhe anëtarë të 4 grupeve kriminale, të skeduara nga TFS, përfshirë në prodhimin e trafikun e drogës. Fryt i hetimit, vëzhgimeve e gjurmimeve disa mujore në territor.

Aksion shembullor i forcave policore në operacion e veçanërisht Njësisë Operacionale, FNSH Shkodër e Fier&RENEA e DVP. Disiplinë e profesionalizëm i lartë & mbi të gjitha konfidencialitet total! Disa ditë aksion&ASNJË rrjedhje informacioni për rreth 100 urdhra kontrolli të ekzekutuar! FALEMINDERIT!

Vlerësim i merituar për drejtuesit e Policisë në organizimin e operacionit. Vlerësim i veçantë Drejtuesve të Prok. së Përgjithshme e Krimeve të Rënda & prokurorëve të çështjes për drejtimin & bashkëpunimin. Më shumë sot ne ora 10:30 konferenca e përbashkët Prokurori – Polici.

Forca e Ligjit do të vazhdojë. Ky s’është show, por betejë reale me krimin e organizuar. Kemi ngritur institucione që po forcohen çdo ditë. Bashkë me agjencitë ligjzbatuese & partnerët ndërkombëtarë. Forca e Ligjit s’ndalet nga askush. Të tjera goditje e rezultate së shpejti 

Arrestimet më të bujshme ishin të dielën. Vënia në pranga e dy ish-deputetëve të Partisë Socialiste: Arben Ndoka, që dyshohet për falsifikim të dokumenteve, në kuadër të një grupi kriminal të përfshirë në tjetërsim tokash në Lezhë; si dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, i cili akuzohet për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se ka marrë parà për dhënien e lejeve për të dënuarit gjatë kohës që drejtonte institucionin.

Lër një koment