fbpx

Artistët i drejtohen presidentit: Ligji i teatrit, kontratë komerciale

presidencaaa_ligji_i_teatrit_faqe_18-2.jpg

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit depozitoi një letër në presidencë drejtuar kreut të shtetit, Ilir Meta. Artistët i bëjnë thirrje që të rikthejë për rishqyrtim ligjin për teatrin, por nga ana tjetër ata kërkojnë edhe takim me presidentin. “Zoti President, ligji që ju keni në tryezë, është i shtrembëruar në frymë, pasi në vend që të jetë një mekanizëm juridik që të rregullojë marrëdhënie shoqërore në tërësi, ky ligj është i ndërtuar në formën e një kontrate komerciale, me fitues të përcaktuar dhe me vlefshmëri për disa mijëra metra katrorë. Me këtë ligj shkelet balanca mes pushteteve, pasi Kuvendi kthehet në një zyrë që miraton me vulë leje ndërtimi, që vijnë me porosi nga qeveria, duke shkelur edhe ligjet që ka miratuar vetë, për koncensionet dhe për partneritetin publik-privat, ligjin e prokurimeve e shumë ligje tjera. Konkretisht, ky ligj anashkalon dhe vjen në kundërshtim me ligjin nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar. Çdo kontratë publike duhet t’i nënshtrohet procedurave dhe kritereve të ligjit për prokurimin publik. Kjo formë veprimtarie ekonomike e parashikuar në këtë ligj, vjen në kundërshtim me standartet e Bashkimit Europian”, shprehet Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Kujtojmë se presidenti Ilir Meta ka zhvilluar në muajin Prill një takim me një përfaqësi të artisteve kryesuar nga aktori Robert Ndrenika. Ndërkohë që pas miratimit të ligjit në parlament, kjo është hera e dytë që artistët i drejtohen presidentit, herën e parë nuk kanë marrë përgjigje. Për artistët, zhdukja e kësaj godine, do të ishte një dëshmi më pak për kujtesën kolektive dhe një arsye më pak për t’u distancuar nga një periudhë e errët 45-vjeçare e historisë sonë. “Zoti president,  qëndresa tashmë 6-mujore për teatrin ka fituar konsesus të gjerë publik, me një peticion drejtuar ju dhe institucioneve tjera, me më shumë se 5000 firmëtarë, të cilët më 12 korrik, marshuan paqësisht në bulevard, për të shprehur vullnetin e tyre në mbështetje të kësaj kauze. Letra të veçanta ju kanë drejtuar edhe mbi 130 artistë teatri dhe 77 arkitektë dhe urbanistë. (Peticioni po dorëzohet sot në protokollin e Presidencës). Në kushtet aktuale, dekretimi i këtij ligji, do krijonte jo thjesht padrejtësi, por pështjellim shoqëror, pasi këtu cënohet e drejta, cënohet balanca e pushteteve, cënohet decentralizimi i pushteteve, cënohet trashëgimia dhe kultura e vendit, cënohet integriteti njerëzor dhe moral i artistëve”, pohojnë artistët.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *