As Apeli nuk e fut në burg Klevis Balliun

Gjykata e Apelit la në fuqi masën detyrim paraqitje për Klevis Balliun, i cili akuzohet se ka sulmuar dhe kryer veprime të dhunshme ndaj efektivëve.

Ndërsa prokuroria kërkoi masën e arrest shtëpie për ish deputetin. Balliu dhe 3 protestues të tjerë të Unazës u arrestuan më 7 maj.

Ndaj tyre rëndojnë 6 akuza midis të cilave kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik, goditje për shkak të detyrës, organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme, pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit si dhe prishja e qetësisë publike dhe shkatërrimi i pronës.

Përplasja mes banorëve të Unazës së Re dhe policisë nisi paraditen e 7 majit, ku për disa orë pati konfrontime të forta.

Siç u njoftua edhe zyrtarisht nga policia e shtetit, 4 efektivë morën plagë gjatë përplasjeve dhe u dërguan për mjekim në spital. Gjithashtu lëndime pati edhe në radhët e banorëve të Unazës së Re, mbi të cilët u përdor edhe gaz lotsjellës.

Të arrestuarit

Klevis Balliu

Elton Skenderi

Seit Hajderasi

Lulzim Maçinaj