ATP: Përfundon procesi i kompensimit, ja kush përfiton 1.2 milionë euro

atp.jpg

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njoftoi dje se më datë 12 korrik 2019 ka përfunduar procesin e shqyrtimit për 80 kërkesa të paraqitura nga subjektet përfitues, pronarë të pasurive të paluajtshme, pronë private, të prekura nga ndërtimet informale, që përfitojnë deri më tani kompensimin/shpërblimin në vlerë, në masën 70% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Për 80 kërkesat e mësipërme, për të cilat ka përfunduar procesi i shqyrtimit nga ana e ATP-së, ka rezultuar se dokumentacioni i tyre është në përputhje me kriteret e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar.

Kështu, 80 kërkesat e miratuara, përfitojnë këstin e parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të kompensimit në të holla në një total prej 70% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse.

Fondi financiar që shpërndahet nga ATP për këto kërkesa është në vlerën totale prej 142.082.563,48 lekë, shumë e barabartë me më se 1.16 milionë euro.

Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën bashkëlidhur këtij njoftimi.

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303