Australi, nxënësit kërkojnë më shumë masa për ndryshimet klimatike

Mijëra nxënës të shkollave australiane janë ngritur në protesta duke kërkuar më shumë reagim nga shteti për ndryshimet klimatike.

Nxënësit braktisën shkollat të premten dhe dolën në protesta për të nxjerrë në pah ato që i konsiderojnë ‘politika klimatike të papërshtatshme’ nga qeveria australiane.

Të hënën, kryeministri australian Scott Morrison qortoi planet e tyre për protesta gjatë orëve të mësimit dhe insistoi se qeveria e tij po bën gjithçka për të ndalur ndryshimet klimatike.

“Ne jemi ata që do vuajmë pasojat e vendimeve që politikanët marrin sot,”-tha protestuesi Jagveer Singh, 17 vjeç, për BBC.

Organizatorët e protestës thonë se u frymëzuan nga Greta Thunberg, një vajzë 15 vjeçare në Suedi, e cila ka ndërmarrë protesta të ngjashme.

Australia është zotuar se do ulë emetimet e saj me 26-28% nga nivelet e vitit 2005 deri në vitin 2030, sipas marrëveshjes së klimës së Parisit.

Morrison përmendi një objektiv të qeverisë për energjinë e rinovueshme, një fond për blerjen e energjisë së pastër dhe një projekt hidroenergjetik si dëshmi për përparimin e Australisë.

 

Lër një koment