Australia sërish në rrezik nga zjarret

Edhe pse reshjet e fundit të shiut shuajtën një numër të konsiderueshëm të zjarreve, zjarrfikësit australianë janë në gatishmëri për mundësinë që temperaturat e mëdha, dhe erërat e forta të nisin zjarre të reja.

Zjarret e mëdha kanë vrarë të paktën 29 njerëz, dhe kanë bërë dëme të mëdha në vend që nga shtatori. Këto flakë janë ndjekur nga moti ekstrem, përfshirë stuhitë e mëdha që kanë mbuluar disa pjesë të Australisë, duke shkaktuar përmbytje e rrëshqitje të dheut.

Reshjet e mëdha të shiut kanë ndikuar në shuarjen e flakëve, por një kthim i papritur i temperaturave të larta u vlerësua si një shkak shqetësues pasi dhjetëra zjarre janë duke vazhduar të digjen.

Temperaturat pritet të arrijnë deri mbi 40 gradë Celsius, edhe në qytetin më të madh të Australisë Sidnej, ndërsa parashihen edhe erëra të forta në disa zona.