fbpx

Babai nga Kosova pret fatin e 4 djemve të zhdukur, refuzon ADN-në: I pres të gjallë

1655828705_Screenshot1.jpg

Halil Hasani, 77-vjeçar nga fshati Çabër i Komunës së Zubin Potokut, jeton me besimin se katër djemtë e tij, të zhdukur për më shumë se njëzet vjet, janë ende gjallë diku në Serbi dhe se një ditë do të kthehen. Hasani thotë se djemtë e tij janë rrëmbyer nga forcat serbe në fshatin Zhabar të Mitrovicës, më 8 qershor të vitit 1999, pak ditë para se të përfundonte lufta në Kosovë.

Atëbotë, djali i madh, Fadili, ka qenë 32 vjeç, Gazmendi 24 vjeç, Armendi 20 vjeç dhe Hasani 15 vjeç. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, babai i tyre thotë se, menjëherë pas luftës, ka vendosur kontakte me së paku dy persona të nacionalitetit serb, të cilët, siç tregon, i kanë thënë se djemtë e tij janë dërguar në Serbi si “robër lufte”.

“Ata, sipas informatave që i kam unë, më së pari kanë shkuar në Beograd. Në Beograd kanë qëndruar më pak se një muaj. Më pas i kanë çuar në Pozharevc [qytet i Serbisë]”.

“Unë i kam pasur lidhjet dhe thuajse çdo javë kam folur me njërin [prej kontakteve] dhe me një tjetër çdo dy javë. Ata gjithmonë më kanë thënë se gjenden gjallë”, rrëfen Hasani.

“Ka shumë të gjallë… më shumë ka të gjallë sesa që mendoni ju, dhe i mbajnë për të kushtëzuar… Ata janë robër lufte”, janë fjalët e njërit prej kontakteve të tij, sipas Hasanit.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303