“Babalja”, Alfred Alizoti pranon se u shtir si vëllai i Fatmir Xhafajt

babalja.png

Agron Xhafaj dhe Albert Veliu

Prokuroria ka zbuluar të hënën përgjime të cilat tregojnë se si i ashtuquajturi “dëshmitari X” komunikon në telefon me Fredi Alizotin, që në audio-përgjim shtirej si Agron Xhafa.

Përgjimet janë pjesë e fashikullit hetimor dhe përkojnë me kohën kur “dëshmitari X”, Albert Veliu, kishte aplikuar për azil politik në Kosovë. Në 6 qershor, zhurma politike po kryqëzonte ministrin e Brendshëm dhe kur Albert Veliu gjendej në Kosovë, ai flet me Fredi Alizotin për çështje lekësh dhe për likuidim të punës së bërë.

Aktori tregon se kishte takuar person tjetër për të cilin Albert Veliu i thotë që t’i kërkojë pagesën.

Fredi Alizoti: E takova. Jo këtej, jo andej, jam keq, po dridhej.

Albert Veliu: Ore, thuaji, bëj likuidimin që kemi lënë thuaj, kaq asgjë në botë. O Fredi vëlla, se me atë s’kam lidhje fare kontakti. Besomë, se jam në azil. Për shpirt të plakës. Unë flas me anë të tjetrit me kosovarin. Thuaj, o vëlla më bëj likuidimin, si e lamë, thuaj.

Në të njëjtën ditë, Alizoti dhe “Babalja” flasin sërish, ku ky i fundit e vë në dijeni se e kishin mbajtur katër orë dhe e kishin pyetur. Por pjesa më e rëndësishme është biseda që Alizoti bën me numrin 974 në 12 qershor. Aty, Alizoti tregon se ka bërë rolin e Agron Xhafës.

Fredi Alizoti: Ai muhabeti jam unë. E kape filmin ti? Unë bëra sikur isha vëllai i atij, e ke parasysh? Dëgjon, bëra sikur isha vëllai i atij? Do merrnin nga një qindshe për njeri, dyqind përnjëherë. Ai më tha mua do marrim njëqindshe. Unë i thashë mirë një qindëshe, i thashë nëm një 20 tëshe, e kupton vëlla, asnjë 20 asgjë iku ky muhabet.

Gjatë muajit qershor, Alizoti shfaqet i shqetësuar dhe telefonon shpesh, jo vetëm sepse nuk po merrte shumën e premtuar për aktrimin, por edhe sepse madiat po shkruanin për arrestime.

Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se në 3 biseda, Alizoti pranon qartësisht, aktori i Geron Alizotit dhe se ai shprehet i zhgënjyer që Albert Veliu nuk i kishte dhënë paratë.

Nga analiza e tabulateve rezulton se përpara se të publikohej audio-përgjimi, fillimisht Albert Veliu ka kontaktuar me Ervin Salianjin në datën 20 tetor të vitit 2017 dhe më 21 tetor 2017, ai ka vendosur kontakt edhe me gazetarin Jetmir Olldashi.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303