fbpx

Balla sulmon ashpër Metën: Si përralla “Dhelpra dhe rrushtë”!

Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e krahasoi me përrallën “Dhelpra dhe rrushtë”, mundësinë e Presidentit Ilir Meta për të shpërndarë Parlamentin, teksa ka thirrur qytetarët në një manifestim më 2 mars, siç e cilëson vetë ai, kundër “grushtit të shtetit”.

Duke folur për media, Balla tha se Presidenti ka humbur çdo lloj sjelljeje kushtetuese dhe çdo lloj sjelljeje normale për të vijuar për të qenë President i Republikës.

Sipas Ballës, në gjithçka ka thënë Meta këto ditë, më e rënda ka qenë sjellja aspak e pranueshme ndaj ambasadorëve të huaj në Shqipëri, duke e quajtur këtë një sjellje brutale.

“E dini përrallën “Dhelpra dhe rrushtë”, përgjigjen e keni aty, lexojeni me shumë vëmendje. Nuk jap asnjë koment, ju them se do të hezitoja të bëja çdo koment përkundrejt një presidenti, i cili tashmë ka humbur çdo lloj sjelljeje kushtetuese dhe çdo lloj sjelljeje normale për të vijuar për të qenë Presidenti i Republikës. Ndër gjithçka ka artikuluar këto ditë, më e rënda është ajo e një lloj sjellje aspak e pranueshme ndaj ambasadorëve të akredituar në vend.

Kjo lloj sjellje brutale me kërcënime dhe paketime që bën ai nuk ka të bëjë fare me zakonin e shqiptarëve. Ne jemi mikpritës, jemi aleatë besnikë të SHBA dhe një vend, i cili ka një politikë të jashtme të përafruar 100% me BE. Presidenti problemet e tjera të lidershipit të opozitës ti zgjidhë pa zhurmë brenda opozitës dhe nuk ka nevojë të shqetësojë veshët, mendjet dhe shpirtrat e shqiptarëve, pasi ky është viti i rindërtimit”, tha Balla.