Banderola e Partizanit për Kacifan, reagon FSHF: E papranueshme!

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka dënuar me forcë banderolën raciste të shpalosur gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu.

FSHF-ja ka deklaruar se këto raste nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar. Në parrullën e shpalosur në shkallët e stadiumit nga tifozët e Partizanit shkruhej: “1 grek i vrarë, 1 bastard më pak”.

“Federata Shqiptare e Futbollit shpreh shqetësimin e thellë dhe distancohet në mënyrë të prerë nga incidenti i djeshëm ndodhur gjatë ndeshjes Partizani – Skënderbeu, duke iu referuar parrullës së shpalosur në fillim të ndeshjes në seksionin e tifozerisë së Partizanit, parrullë dukshëm me sfond racist dhe me mesazhe të papranueshme për fushën e blertë dhe lojën e futbollit. Edhe pse u desh ndërhyrja e delegatit të ndeshjes për heqjen e atij çarçafi të errët, sërish qëllimi dhe akti mbetet shumë i dënueshëm. Ajo parrullë që nuk ka asnjë të përbashkët me thelbin e futbollit për të bashkuar njerëzit në paqe e harmoni, nuk mund të jetë kurrësesi një element tifozerie e aq më pak të qëndrojë mbi flamurin tonë kombëtar. FSHF, duke dënuar me forcë gjuhën e përdorur dhe mendjen e trazuar për ta përzierë futbollin me racizëm apo pseudonacionalizëm, siguron opinionin publik dhe tifozët e vërtetë se stadiumet tona nuk do të shndërrohen asnjëherë në mediume konflikti dhe urrejtjeje, por do të jenë në çdo rast e çast arenë ku mbizotëron fryma e solidaritetit, gjallërisë dhe dashurisë për futbollin. Ritheksojmë se distancohemi qartazi nga çdo provokim dhe shprehim bindjen se ky grupim i veçuar, çarçaf i shkurtër dhe i keq orientuar nuk do të arrijë të prishë imazhin e futbollit dhe tifozerisë së vërtetë”, lexohet në komunikatën e FSHF-së.

“Duke i nxjerrë kartonin e kuq këtij rasti të rrezikshëm për imazhin e futbollit, i sigurojmë të gjithë se do të merren të gjitha masat përkatëse që raste të tilla skenaresh dritëshkurtra jo vetëm të mos kalojnë pa u ndëshkuar por kurrësesi të mos përsëriten e të mos njollosin imazhin e lojës së futbollit. Duke theksuar se mbetet në përgjegjësinë e klubit parandalimi i këtyre incidenteve, në rastin aktual i klubit Partizani, bëjmë me dije se komisionet juridike pranë FSHF-së do të mblidhen në mënyrë urgjente dhe do të shqyrtojnë të gjithë incidentin për të vijuar me masat përkatëse”, thuhet në reagimin e FSHF-së.

Lër një koment