fbpx

Banorët e “Astirit'” letër Arta Markut: Nis hetimet!

astiri.jpg

Banorët e zonës së Astirit i kanë dërguar këtë të martë një letër zyrtare prokurores së përgjithshme të përkohshme Arta Marku, në mënyrë që kjo e fundit të hapë sa më parë një hetim të plotë dhe të thelluar mbi çështjen e shtëpive të tyre, të cilat janë shumë pranë prishjes për shkak të projektit të Unazës së Madhe.

Banorët në letër kanë shpjeguar me detaje se çfarë ka ndodhur në këto 20 ditë e më shumë të protestës dhe për një sërë shkeljesh ligjore të kryera nga institucionet qeveritare, duke nisur fillimisht me kryqet që janë vendosur në shtëpitë e tyre e deri tek heqja e një sërë ndriçuesish nga zona, në një kohë kur projekti i Unazës së Madhe ende s’ka dalë në dritë.

Për më tepër lexoni letrën e mëposhtme:

INFORMCION KALLZUES

Objekti:     Për nisjen e hetimeve kryesisht për mënyrën e realizimit tëProjektit “Rehabilitim i Segmentit Rrugor Mbikalim Pallati me Shigjeta Sheshi Shqiponja”, dhe referim i dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe“Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 245 dhe 248 të Kodit Penal, nga zyrtarët publikë në Bashkinë Tiranë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, ALUIZNI dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës

Drejtuar:             Prokurorit të Përgjithshëm

ZNJ. ARTA MARKU

 

Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë

Znj. ELIZABETA IMERAJ – Drejtuese e Prokurorisë

Për dijeni:           Presidentit të Republikës

SH.T.Z. ILIR META

Avokatit të Popullit

Znj. ERINDA BALANCA

Nga:                     Banorët e zonës që preken nga projekti “Rehabilitim i Segmentit Rrugor Mbikalim Pallati me Shigjeta Sheshi Shqiponja”

Baza Ligjore:       Neni 280 dhe 283 i Kodit të Procedurës Penale

E nderuar Znj. Prokurore e Përgjithshme,

E nderuar Znj. Drejtuese e Prokurorisë së Tiranës,

Ne, jemi përfaqësuesit e më shumë se 300 familjeve shqiptare, banorë të qytetit të Tiranës, që, në mënyrë të papritur dhe çnjerëzore, po na vrasin të drejtën për të jetuar të qetë dhe ndershmërisht në banesat tona.

Në mënyrë të befasishme, pranë banesave tona, janë paraqitur disa individë të paidentifikuar, të cilët kanë realizuar disa matje, kanë shenjuar banesat tona me kryq dhe na kanë kërkuar verbalisht që të lirojmë banesat brenda javës. Të nxitur nga kureshtja për këtë veprim të pazakontë, jemi interesuar pranë autoriteteve shqiptare, dhe në rrugë jozyrtare na u konfirmua, se banesat tona do të prishen, për shkak se do të realizohet një projekt urban, për zgjerimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

Fillimisht, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se asnjë nga banorët e zonës, që preket nga Projekti i supozuar, nuk është informuar as për Projektin dhe as për nevojën e shpronësimeve për qëllim të realizimit të një investimi publik. Asnjë autoritet shtetëror nuk na ka kontaktuar zyrtarisht për të na informuar për Projektin, dobinë publike të tij, interesin publik në realizimin e atij projekti apo mënyrën sesi do të trajtohemi ne, banorët e asaj zone. Në rrugë jo zyrtare na është thënë vetëm se duhet të braktisim banesat tona dhe të vlerësojmë mundësi të tjera për strehim, për shkak se shtëpitë tona do të prishen, dhe pjesa dërrmuese nuk do të marrin asnjë kompensim financiar për pronat tona.

E drejta e pronës është një e drejtë kushtetuese për secilin prej nesh, që gëzon mbrojtje jo vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por edhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë rast, pavarësisht se disa banesa mund të mos jenë pajisur ende me leje legalizimi apo certifikatë pronësie, ato,defacto janë pasuri të paluajtshme, ku ne gëzojmë të drejta pronësore dhe që janë poseduar nga ana jonë në mënyrë të pandërprerë për më shumë se 20 vjet.

Në këto rrethana, edhe sikur për autoritetet shtetërore ne të mos konsiderohemi pronarë, më së paku, ne gëzojmë të drejtën e mbrojtjes së një interesi pasuror, në kuptim të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe në zbatim të jurisprudencës së GJEDNJ-së.

Në çështjen OneryildizkundërTurqise (Aplikimi nr.48939/99, vendimi datë 18.06.2002), Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, ndër të tjera, shprehet se: “…. Gjykata konsideron se banesa e ndërtuar nga aplikanti dhe banimi i tij me familjen e tij përfaqëson një interes ekonomik substancial. Ky interes, të cilën autoritetet e kanë lejuar ta mbaje për një periudhe të gjatë kohe, ngrihet në një “posedim” brenda kuptimit të rregullit të parashtruar në fjalinë e parë të nenit 1, paragrafi 1 të Protokollit nr.1 …Gjykata përsërit rëndësinë kyçe të së drejtës që rrjedh prej nenit 1 të Protokollit nr.1 dhe konsideron që ushtrimi real dhe efektiv i kësaj të drejte nuk varet thjësht nëdetyrimin e shtetit për të mos nderhyrë, por mund të kërkojë masa pozitive mbrojtjeje …”. Në këtë vendim vërehet se GJEDNJ ka konkluduar se: “megjithëse banesa e kërkuesit ishte ndërtuar në shkelje të të gjitha rregullave të planifikimit urban të qytetit, Z. Oneryildiz kishte qenë një pronar de facto i strukturës kryesore dhe të pjesëve përbërëse të banesës dhe të çdo sendi personal që ishte gjendur në të. Ndërtimi i banesës dhe fakti që kërkuesi kishte jetuar në të së bashku me familjen përfaqësonte një interes thelbësor material, i cili, duke qenë se ishte toleruar, sië u tha më lart, nga ana e autoriteteve shtetërore përgjegjëse, arrinte të përbënte pasuri për qëllimet e Nenit 1, Protokolli 1 të Konventës.”.

Në këto kushte, autoritetet shtetërore (ARRSH, ALUIZNI, Bashkia Tiranë dhe MIE)janë duke ndërhyrë në mënyrë arbitrare në pronat tona, duke tentuar prishjen e tyre, pa asnjë dëmshpërblim të drejtë dhe që na mundëson financiarisht blerjen e një banese tjetër. Prishja e banesave dhe marrja e truallit, pa na ofruar më parë një dëmshpërblim të drejtë të dëmit që na shkaktohet, përbën veprim arbitrar të autoriteteve publike, që cenon të drejtën tonë të pronës. Konkretisht, jemi përpara kryerjes së veprimeve e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga persona që ushtrojnë funksione publike, dhe që dëmtojnëinteresat e ligjshëm të shtetasve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përmbyllur procedurën e prokurimit publik mbi realizimin e këtij projekti dhe menjëherë kompanitë fituese të tenderit kanë nisur punë, duke bërë prishjen e rrethrrotullimit tek “Shqiponja”, heqjen e sinjalistikës rrugore dhe prerjen e pemëve. Fillimi i punimeve është bërë pa ndjekur më parë procedurën e shpronësimeve për interes publik dhe për pasojë pa u pajisur më parë me Leje Zhvillimi.

Fillimi i punimeve kërkon domosdoshmërisht pajisjen me Leje Zhvillimi nga ana e subjekteve zbatuese të projektit. Kjo është ligjërisht e mundur vetëm pasi të jenë realizuar procedurat e shpronësimit dhe e gjithë pasuria që përfshihet në zonën e zhvillimit të ketë kaluar në pronësi të pronarit shtet. Ndërkohë që zbatimi i projektit është kryer disa javë përpara miratimit të vetë Projektit, dhe pa u pajisur me Leje Zhvillimi.

Fillimi i zbatimit të projektit ka sjellë pasoja të rënda për të drejtat tona të pronësisë. Zona jonë e banimit, është një nga zonat e reja informale të qytetit të Tiranës, e cila bazuar në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar”, është aktualisht në proces legalizimi. Vetëm një numër i vogël banesash, kanë përfunduar procesin e legalizimit dhe janë pajisur me leje legalizimi. Ndërkohë që pjesa dërrmuese e banesave, edhe pse janë në të njëjtat kushte me të parat dhe kanë depozituar aplikimin për pajisje me leje legalizimi në të njëjtën kohë, janë aktualisht vetëm të parakualifikuara për legalizim dhe i është kërkuar të paguajnë tarifat e shërbimit për qëllim të përmbylljes së procesit të legalizimit.

Secili prej nesh, ka paguar tarifat e shërbimit të kërkuara nga autoritetet kompetente shqiptare, janë njoftuar nëpërmjet njoftimeve në shtypin e shkruar nga ALUIZNI (Agjencia kompetente shtetërore për legalizim) që banesat tona janë kualifikuar për legalizim, është miratuar për disa raste kalimi i tyre në pronësi të subjekteve poseduese me VKM përkatëse dhe janë në fazën përfundimtare të procesit. Për pasojë, gjatë gjithë kësaj periudhe, kemi qenë në pritje të marrjes së lejes së legalizimit, duke krijuar pritshmërinë e ligjshme të trajtimit të barabartë nga ana e shtetit, jo vetëm me banorë të tjerë të zonës që i janë legalizuar banesat, por me të gjithë qytetarët që kanë qenë subjekt përfitues nga ligji i legalizimeve.

Aktualisht, ALUIZNI është përfshirë në një proces antiligjor, që përmblidhet si më poshtë:

Mostrajtimin e vetëdeklarimeve brenda afateve ligjore proceduriale, të përcaktuara nga nenit 49, të Ligjit nr.8485 datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”. Brenda këtyre afateve ALUIZNI duhej të shprehej me një vendim përfundimtar për legalizimin, apo përjashtimin nga legalizimi të ndërtimeve informale të vetëdeklaruara. Ky mosveprim, realisht, i ka shkaktuar dëm subjekteve vetëdeklaruese të ndërtimeve informale, në zonën që preket nga zbatimi i projektit. Po kështu, ky mosveprim ka sjellë pasojën që lidhet me shkeljen e së drejtës themelore për një proces të rregullt ligjor, parimit të sigurisë juridike. Ky mosveprim ka shkaktuar “amulli” në mospërcaktimin e qartë paraprak të statusit juridik të këtyre pronësive, para fillimit të zbatimit të projektit. Për të njëjtat situata, për subjekte të ndryshme, ALUIZNI ka marrë vendime të ndryshme në kohë dhe, ndërkohë, pa paralajmëruar që do të ndërpresë, në kundërshtim me ligjin, procedura të cilat kanë kanë kaluar disa faza proceduriale të rëndësishme.

Në disa raste, ALUIZNI rezulton se ka kryer procedura ligjore, deri në lidhje kontrate për kalim pronësie të parcelës ndërtimore (të ndodhur në zonën ku po zbatohet projekti), në favor të subjekteve vetëdeklarues. Por në mënyrë të kundërligjshme procedura nuk është vazhduar më tej, gjë që ka sjellë pasoja të rënda për subjektin tashmë ligjërisht pronar të parcelës ndërtimore, sa i takon vlerësimit të gjendjes juridike të ndërtimit informal të vetëdeklaruar dhe për pasojë mospërfshirjen në listën e subjekteve që duhen shpronësuar.

E gjitha kjo nënkupton prishjen e një numri të lartë banesash dhe një komunitet banorësh të konsiderueshëm në numër, të cilët duhet të humbin banesat e tyre pa marrë asnjë dëmshpërblim të drejtë.

Bazuar në rekomandimet e OKB-së dhe interpretimeve të dhëna në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në Komentin e Përgjithshëm nr. 4, të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, për të drejtën për një strehim të përshtatshëm dhe, veçanërisht, në Komentin e Përgjithshëm nr.7 të këtij Komiteti, Raporteri Special i Kombeve të Bashkuara për Strehimin ka publikuar një numër udhëzimesh të detajuara, të njohura si Parimet dhe “Udhëzimet bazë të Kombeve të Bashkuara” dhe “Udhëzimet për lirimet bazuar mbi Zhvillimet dhe mbi Zhvendosjen”. Këto parime dhe udhëzime bëjnë më të qarta detyrimet e shtetit, në rastet e lirimit me forcë të banesave. Për shkak të mënyrës se si po veprohet nga ana e ARRSH-së dhe për rrjedhojë më pas edhe nga ana e IKMT-së, gjendja paraqitet në kushtet e “dëbimit me forcë”, në shkelje të të gjitha parimeve dhe standardeve ndërkombëtare të trajtimit të rasteve të dëbimit me forcë. Nuk ka patur një komunikim real dhe të nevojshëm, si dhe koordinim paraprak ndërmjet ARRSH-së dhe Bashkisë Tiranë, për trajtimin e familjeve, të cilat preken në pronësitë e tyre, pra të banesave, qofshin këto në posedim apo në pronësi të ligjshme, si pasojë e zbatimit të Projektit, për të trajtuar në kornizë ligjore këtë situatë, pavarësisht përpjekjeve të Bashkisë Tiranë për një zgjidhje të përkohshme të çështjes së strehimit për familjet që ngelen të pastreha.

Për më tepër, rezulton se, ekzistojnë pasuri të paluajtëshme, të ndodhura në zonën që preket nga zbatimi i projektit, të cilat janë ndërtuar deri më 10.08.1991, me truall funksional, për të cilat nuk posedohen akte të fitimit të pronësisë. Sipas legjislacionit në fuqi, këto pronësi duhet të kishin kaluar paraprakisht në pronësi të ligjshme të poseduesve të tyre, me qëllim që të arrihej në një proces shpronësimi për to. Sikurse rezulton, megjithëse ka filluar zbatimi i Projektit, kjo gjë nuk ka ndodhur deri tani.

Edhe procedura e prokurimit publik për realizimin e këtij Projekti krijon dyshimin e arsyeshëm të një procedure të parregullt dhe të paligjshme. Përveë faktit që në garë ka marrë pjesë realisht vetëm një ofertues apo se fituesit në disa raste janë kompani offshore, rezulton se edhe vlera totale e realizimit të Projektit, tejkalon çdo logjikë financiare dhe është tërësisht e pajustifikuar.

Kosto e pazakontë e segmentit aktual me gjatësi 2.3 kilometra rrjedh nga fakti se çmimii tenderuar është 40 milionë eurosh. Në tre tenderët e zhvilluar për tre lote në projektin aktual, një kompani konkuroi në secilin rast pa garë.Në dy tenderë, ofertat fituese ishin të barabarta me mbi 99.8% të fondit limit.

Afërsia e ofertës fituese me fondin limit konsiderohet në manuale të ndryshme të OECD apo Bankës Botërore si një ‘flamur i kuq’, një sinjalizues për autoritetet për rrezik të mundshëm korrupsioni ose marrëveshjeje të fshehtë mes kompanive pjesëmarrëse në garë për të shmangur garën dhe për të maksimizuar fitimet e tyre.Sipas Bankës Botërore, një tender duhet të konsiderohet i dyshimtë nëse oferta fituese ka një afrimësi me fondin limit më të vogël se 1%.

Fiktiviteti dhe paracaktimi i fituesit rezulton edhe nga procedura e konkurimit që është realizuar. Konkretisht, kompania “Vëllezërit Hysa”, edhe pse është regjistruar në të tre procedurat e prokurimit, nuk ka dorëzuar ofertë financiare. Kjo ka bërë që në konkurim të jetë vetëm një kompani, në të tre procedurat e prokurimit. Nga ana tjetër, kompania offshore që ka fituar tenderin, rezulton të jetë krijuar në muajin Korrik 2018, pra, vetëm pak muaj përpara hapjes së garës.

Konkretisht, segmenti i parë u fitua nga bashkimi i kompanive “Biba X” dhe “DH Albania”. Vlera e tenderit ishte 18 milionë euro. Kompania “Vëllezërit Hysa”, nuk paraqiti ofertë. Segmenti i dytë, u fitua nga “Salillari sh.p.k”. Vlera e tenderit, ishte 12.6 milionë euro. Kompania “Vëllezërit Hysa”, si pjesëmarrëse në tender, sërish nuk paraqiti ofertë. Segmenti i tretë, u fitua nga kompania “Viktoria Invest International” dhe “Viktoria Invest sh.p.k”.

Kjo kompani është përjashtuar një vit nga procedurat konkuruese koncesionare dhe të partneritetit publik privat. Ky përjashtim nuk e pengon këtë kompani të marrë pjesë në tender, por hedh dyshime serioze mbi kompaninë. Kompania “Vëllezërit Hysa”, ka shërbyer si një koperturë, për të legjitimuar një garë, që nuk ekzistonte. Por, ky nuk është problemi i fundit i këtij tenderi.

Ja çfarë ka ndodhur me segmentin e parë të këtij tenderi. Kompanitë fituese të këtij segmenti, “Biba X” dhe “DH Albania” janë të panjohura dhe pa eksperiencë në ndërtimin e rrugëve. “DH Albania”, është kompani e regjistruar në Shqipëri në 18 Korrik 2018, pra vetëm dy muaj përpara zhvillimit të tenderit. Ajo është regjistruar si degë e një kompanie të huaj, me emrin Dunëel Haberman, me përfaqësues ligjor, 26 vjecarin Avdjol Dobi. Kompania mëmë, Dunëell Haberman Ltd, është regjistruar në një parajsë fiskale, në shtetin Delaëere,  në SHBA dhe duket se është një kompani pa aktivitet. Në qendrën kombëtare të biznesit, si përfaqësuese ligjore e kompanisë mëmë, është regjistruar Nesha Lynn Kumar, shtetase dhe banore në ishujt Sejshell.

Është interesant fakti, që kompania mëmë ka një faqe online, e cila është krijuar në 2 korrik 2018, pak më shumë se dy javë, para se kompania të regjistronte degën e saj në Shqipëri. Në faqe, nuk ka asnjë informacion për personat drejtues të kompanisë dhe asnjë informacion për angazhimet e saj në të shkuarën. Është njëlloj si operacionet që kanë kryer qeveritë e Shqipërisë me koncesionet e Rapiskanit, Bankers dhe të tjera.

Kompania tjetër e konsorciumit, Biba X, është regjistruar në Kavajë, në vitin 2002, me objekt, “prodhim të materialeve të ndërtimit, kryesisht prodhim dhe tregtim inertesh”. Në 15 tetor 2018, ortaku i vetëm Barush Biba, ndryshoi objektin e kompanisë, duke shtuar “ndërtim rrugësh, ndërtime civile, rikonstruksion fasadash”. Autorët e tenderit, kanë vepruar me aq nxitim, sa ndryshimin e objektit të kompanisë “Biba x” si ndërtues rrugësh, e kanë bërë një muaj pas fitimit të tenderit. Pra, këtë tender e ka fituar një kompani që nuk ka patur si objekt ndërtimin e rrugëve.

Fakti tjetër shumë i rëndësishëm është se, është që nga viti 2013, deri në tetor të vitit 2018, kompania “Biba X”, ka qenë vazhdimisht nën sekuestro, për fatura të pashlyera ndaj kontraktorëve të ndryshëm, të cilët kanë marrë urdhra gjyqësore, kunder kompanisë, deri në shlyerjen e detyrimeve. “Biba X”, ka qenë nën sekuestro, edhe gjatë periudhës kur ka konkuruar në tenderin e rrugës së re. Siç e dëshmojnë dokumentat, kompanisë “Biba X”, i është hequr sekuestro, një muaj pasi ka fituar tenderin. Ligji shqiptar për prokurimin publik, e përcakton qartë, se një ofertues, përjashtohet nga pjesmarrja në tender nëse kapitalet e tij janë në duart e përmbaruesit ose janë në proces konfiskimi.

Të gjitha të dhënat dhe indiciet e mësipërme, kanë detyruar një komunitet të gjerë banorësh që prej më shumë se 20 ditësh të protestojnë çdo ditë, në mbrojtje të të drejtës së tyre të pronësisë dhe të ligjshmërisë në veprimet e organeve shtetërore.

Ne besojmë plotësisht, se një vend që pretendon të veprojë sipas parimeve të shtetit ligjor, shqetësimi madhor publik i banorëve për më shhumë se 20 ditë, do të kishte detyruar organin e prokurorisë që të niste menjëherë hetimet për të vlerësuar të dhënat dhe indiciet që tregojnë veprime e mosveprime që përbëjnë shhpërdorim detyre dhe korrupsion sipas nenin 245 dhe 248 të Kodit Penal.

Nisur nga sa më lart, sa kohë organi i prokurorisë nuk ka vepruar ende dhe duke besuar se përmbushja e detyrave kushtetuese nga organet e drejtësisë, parandalon përshkallëzimin e situatave të dëmshme për gjithë shoqërinë shqiiptare, kërkojmë nga ana juaj nisjen e hetimeve kryesisht për mënyrën e realizimit tëProjektit “Rehabilitim i Segmentit Rrugor Mbikalim Pallati me Shigjeta Sheshi Shqiponja”, dhe kryerjen e një hetimi të plotë për për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, nga zyrtarët publikë në Bashkinë Tiranë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, ALUIZNI dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Për këtë qëllim, kërkojmë:Regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 245 dhe 248 të Kodit Penal, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë  të rrethanave të parashtruara më sipër, si dhe të rrethit të plotë të zyrtarëve publikë të përfshirë në këtë akt kriminal.

Ne shprehim gjithë besimin se institucioni juaj, do të veprojë në mënyrë të shpejtë dhetë paanshme, duke garantuar shtetin ligjor dhe duke mbrojtur interesin e qytetarëve.

Me respekt dhe në pritje të një reagimi nga ana Juaj,

BANORËT E QYTETIT TË TIRANËS:

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *