Barcelona pa Messi e Pique në Milano, Conte: Duhet të japim maksimumin!

Interi do të përballet me Barcelonën nesër në mbrëmje në “San Siro” në një ndeshje mjaft të rëndësishme, që do të vendosë shumë sa i përket kalimit të zikaltërve në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Trajneri Antonio Conte bëri thirrje që të tijtë të japin maksimumin dhe të shfrytëzojnë energjinë pozitive që do të përcjellë publiku i “San Siro”-s, për të tentuar fitoren ndaj katalanëve.

“Është një nga ato ndeshje ku ne duhet të japim më shumë sesa kemi nga vetja. Ndonjëherë edhe të japësh maksimumin, në të tilla takime nuk mjafton, por ne duhet t’ia bëjmë hyzmetin dhe të shpresojmë të marrim rezultatin që na duhet, duke shfrytëzuar edhe energjinë pozitive të stadiumit”, deklaroi Conte.

Lionel Messi dhe Gerard Pique janë lënë jashtë listës së të grumbulluarve nga trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, por Conte shprehet i bindur se katalanët janë shumë të fortë edhe pa këta të dy.

“Barcelona është një nga ato ekipe që luan për t’i fituar të gjithë takimet dhe ka një grup prej 20 lojtarësh, të gjithë të një niveli mjaft të lartë. Me apo pa Messin, ndaj tyre është gjithmonë e vështirë, ndaj duhet të jemi maksimalisht të përqendruar”, tha tekniku zikaltër.

Interi po përballet me dëmtime të shumta në mesin e fushës, ku mungojnë Gagliardini, Sensi e Vecino, ndërsa së fundi është ndalur edhe Asamoah, që u eksperimentua si mesfushor qendre në ndeshjen ndaj Romës.

“Nga dëmtimet nuk kemi të reja, madje do të mungojë edhe Asamoah, që ka një problem në gjurin e djathtë. Megjithatë pres nga futbollistët që do luajnë, që të bëjnë maksimumin në fushë”, tha Conte.